Vdekja e 29-vjeçares, raporti i ISHTI: Ashensori nuk ishte mirëmbajtur

21/01/2017 00:00

Shkak i ngjarjes së rëndë një ditë më parë, ku mori flakë ashensori i një pallati, e për pasojë humbi jetën një 29-vjeçare ka qënë depozita e vajit e ashensorit, e cila ndodhej pranë kafazit të ashensorit.

Të paktën kështu thuhet në raportin e hartuar nga ISHTI. “Rreth orës 09.48 ka marrë zjarr depozita e vajit të  ashensorit hidraulik e cila ndodhej brenda kafazit të ashensorit. Zjarri i rënë ka dëmtuar kafazin e ashensorit dhe pastaj ka shkaktuar vdekjen e një banoreje të këtij pallati. Kabina ndodhej e pozicionuar në katin e parë dhe kishte dhe ajo në brendësi materiale konstruktive të djegshme”, thuhet në raportin e ISHTI.

ISHTI thotë se shkaku i zjarrit ishte kryesisht instalimi i depozitës së vajit brenda kafazit të ashensorit hidraulik, por gjendja nuk do të kishte agravuar në këtë pikë nëse nuk do të shoqërohej nga moseleminimi i rrjedhjeve të vajit, mospastrimi i vajit të rrjedhur dhe papastërtive në fundin e kafazit të ashensorit.

Gjithashtu ISHTI vëren se nuk ka pasur ndonjë skemë lajmërimi për dëmtimin e ashensorit sipas kërkesave të standardeve për ashensorët.

Ndërkaq, nga kontrolli i rrjetit elektrik është konstatuar se nuk ka pasur rënie automati monofazor që i përkiste familjarëve. Ndërsa automati trefazor i ambienteve të përbashkëta, prej nga furnizohet dhe ashensori me energji ka qënë i stakuar.

Ditën e djeshme një 29-vjeçare humbi jetën pasi mori flakë ashensori i pallatit në të cilën jetonte në lagjen “Fresku” të kryeqytetit.

Policia e kryeqytetit po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe procedimin e përgjegjësve për situatën e krijuar.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel