Edhe pas 10 ditësh pa dëborë, zona e Thethit e bllokuar

21/01/2017 00:00

Ndonëse ka rreth 10 ditë që nuk ka pasur reshje bore dhe temperaturat janë rritur ndjeshëm, rruga për në fshatin Theth vazhdon të jetë e pakalueshme.

Nga Boga në Qafë Thore rruga është hapur gjatë këtyre ditëve por gjithsesi duhen përdorur zinxhirë pasi ka prezencë të madhe akulli. Ndërsa nga Qaf Thoria deri në Theth është e pakalueshme.

Ka nga ato banor të këtyre zonave që u duhet të ecin për orë të tëra në këmbë për te kaluar pjesën e bllokuar. Nosh Nikaj nga Boga i cili po kthehet nga Thethi dhe thotë se rruga është e pakalueshme dhe i është dashur të ecë në këmbë.

“Po vij nga qafa e Thoris, rruga momentalisht është e bllokuar”, thotë Nosh Nikaj.

Burime nga Shtabi i Emergjencave në Prefekturën Shkodër pohuan për Top Channel se ky aks është ne administrimin e Bashkisë Shkodër dhe se nga ana e Shtabit të Emergjencave bashkisë i është dhënë një traktor që mund ta përdorë për pjesën që ka mbetur pa u hapur.

Si pasojë e kësaj situate prej tre javësh banorët e Thethit kanë mbetur të izoluar nga pjesa tjetër e vendit.

Ndërkohë ajo që bie në sy është se në këto kushte të vështira dhe rrugë të bllokuara punonjesit e OSHEE-se vazhdojn të punonjë në aksin e Bogë – Qaf Thore në shtrimin e linjës së re të tensionit të larte.

Top Channel