Fermerët e njohur që nga Mesjeta kërkojnë treg

18/01/2017 00:00

Banorët e Ballabanit, një prej zonave më të largëta të Bashkisë së Këlcyrës, jetojnë kryesisht me të ardhurat që sigurojnë prej produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Në Ballaban ndodhet tregu i shumicës së këtyre produkteve, mirpo pakësimi i popullsisë me kalimin e viteve ka sjellë edhe reduktimin e vazhdueshëm të tij. Një herë në javë në Ballaban mbërrijnë produktet që zona prodhon për të shitur.

“Këtu ka edhe produkte të serrës, megjithëse ne kemi produktet tona që i prodhojmë vetë. Ne jetojmë këtu kryesisht me bujqësinë”, thonë banorët.

Aktualusht ne 14 fshatra të zonës jetojnë jo më shumë se 1500 banorë. Ballabani ka 12 mijë krerë bagëti të imta dhe 4 punishte të përpunimit të qumështit.

 “Këta njerëz më tepër i ka mbajtur emigracioni. Vërtet themi që jetojnë me bujqësi e blegtori, por jo se i plotëson kërkesat që ka gjithsecili, ndaj të ardhurat kryesore vijnë nga emigracioni. Problemi kryesor mbetet infrastruktura rrugore. Disa fshatra i kemi pa rrugë fare, disa të tjerë me rrugë me çakull, pasi asfalti nuk ka shkuar ende. Në ato fshatra ku ka rrugë me çakull kanë filluar të kthehen banorët nga jashtë dhe qytetet e vendit dhe po ndërtojnë shtëpi e nuk po ikin më”, thotë kreu i njësisë administrative Ballaban, Dashnor Memishahi.

Zona e Ballabanit dhe Sukës kanë qenë historikisht të njohura në të gjithë jugun që prej Mesjetës për panairet bujqësore dhe blegtorale. Në të gjithë territorin tani jetojnë gati gjysma e popullsisë aktive të vitit 1990.

Top Channel