Zonat e thella të izoluara, Prençi: Pas borës s’ka rrezik për përmbytje

17/01/2017 00:00

Ndonëse reshjet e dëborës në disa zona të vendit vijuan edhe gjatë 24 orëve të fundit, situata paraqitet e stabilizuar. Megjithatë, disa fshatra në veri si Oroshi, Çaj, Ostren e Zerqan vijojnë të jenë të bllokuara.

“Janë rreth 15-16 fshatra të vegjël, me nga 15 deri në 50 familje, çka është e mundur që me një rrugë helikopteri, që mban 1.5 ton mallra, t’iu shkojë në ndihmë për të gjitha nevojat e domosdoshme për të jetuar”, deklaron kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi.

Sa i takon rrugëve, qarkullimi kryet pa probleme në të gjithë akset kombëtare, me përjashtim të ndonjë segmenti ku nevojitet përdorimi i zinxhirëve. Kreu i Emergjencave Civile, një zë kritik ndaj kompanive të mirëmbjatjes së rrugëve, flet për një situatë të përmirësuar në këtë drejtim.

“Mendoj se zëri kritik ka bërë mirë. Nga kritika nuk duhet të kemi frikë. Nuk kemi segmente rrugore të bllokuara, edhe pse në disa rajone ra 40 cm borë. Ka disa akse që kalohen me zinxhirë, por janë të hapur sa i përket trashësisë së borës. Më vjen mirë që së fundmi këto kompani, që kanë detyrim mirëmbjajtjen e rrugëve në 12 muajt e vitit, po kuptojnë se punë me intensitet ka pikërisht në një periudhë jo më shumë se 2-mujore”, thotë Prençi.

Por a rrezikohet vendi nga përmbytjet? “Në këto kushte mendoj se nuk do të ketë shkrirje të të menjëhershme të dëborës dhe nuk do të kemi rrezik të përmbytjes”, shton Prençi.

Top Channel