Rikthehen ngricat; Vdes një i pastrehë në Korçë

17/01/2017 00:00

Temperatuarat në vend vazhdojnë të ulen duke shënuar edhe një tjetër viktimë në Korçë. Trupi i pajetë i një personi rreth 60 vjeç që njihet me emrin Agim u gjet në qendër të qytetit të Korçës, nga pronari i një lokali.

Askush nga banoret nuk di gjë rreth të kaluarës së viktimës. I pastrehë 60 vjeçari jetonte ne dhomat e një hoteli që nuk funksiononte më, ndërsa jetesën e siguronte përmes mbledhjes së materialeve të riciklueshme në koshat e mbeturinave.

Ky është rasti i tretë që në Korçë vdes një person nga i ftohti.

Ndërkohë që situata e renduar e motit u zhvendos të hënën nga veriu në jug. Dëbora që nuk ka reshtur së reni gjatë gjithë ditës së hënë, në jug të vendit pushtoi të gjithë zonën turistike të Llogarasë.

Reshjet e dendura të dëborës kanë bërë që aksi rrugor nacional, i cili lidh Vlorën me Himarën, të jetë tejet i vështirë për t’u kaluar edhe me zinxhirë.

Në një gjatësi prej 15 km nga fshati Dukat deri në Palasë dëbora arrin deri në 40-50 cm, që sjell problem në lëvizje. Policia lokale ngriti dy postoblloqe, një në fshatin Dukat dhe një në Palasë duke mos lejuar automjetet pa zinxhirë të kalojnë. Pavarësisht punës së borëpastrueseve, reshjet e dendura e bëjnë joefektive punën e zinxhirëve. Edhe aksi Kakavijë-Janinë u bllokua për disa orë për mjetet e tonazhit të rëndë ndërsa mund të kalohej me zinxhirë na automjetet e vogla.

Zona të prekura mbeten rrethet e Kukësit, Shkodrës, Dibrës, Elbasan dhe Korçë. Por gjatë së hënës në rrugët e veriut të vendit ka patur prani të pakta të ngricave dhe po punohet për pastrimin dhe kriposjen e tyre.

Ndërkohë që vetë banorët e fshatrave të rrethuar nga dëbora kanë raportuar në Top Channel për situatën e rëndë. Një banor i fshatit Qerret në Shkodër, thotë se 10 familje atje janë të bllokuara nga akulli dhe dëbora dhe kërkojnë ndihmën e emergjencave civile.

Nga Qafë-Thana, drejtuesit e mjeteve raportuan për bllokim të rrugës nga reshjet e shumta, pak pasi ora kishte kaluar 19:30 e së hënës. Një situatë e renduar raportohet edhe nga qyteti i Bulqizës.

Top Channel