Lirohen të amnistuarit, përfituan të dënuarit deri në 3 vjet

14/01/2017 00:00

130 të dënuar në Burgun e Peqinit, kanë lënë sot qelitë pasi përfituan nga amnistia.

Dikush del i vrenjtur pasi lë qelinë ende i bindur se vendimi ndaj tij ka qënë i padrejtë, një tjetër i buzëqeshur se ankthi mbaroi.

Ka nga ata që lëvizin të qetë duke përshëndetur punonjësit e policisë, por ka edhe nga ata që vrapojnë drejt derës që më në fund po hapet.

“Isha dënuar për vrasje. Kisha më pak se një vit burg. Vrava një shok pa dashje”, thotë një nga të liruarit e burgut të Peqinit.

“Isha dënuar për hashash. Mbajtës në shtëpi. Për mua vendim i padrejtë, sepse rastësisht kisha një sasi të vogël”, thotë një tjetër i liruar.

“Unë isha i dënuar për trafik droge”, thotë një tjetër.

Drenovë
Nga burgu i Drenovës dolën 55 të dënuar. Rrëfimet e atyre që sapo i rikthehen lirisë kanë qenë nga më të ndryshmet por përpos mirënjohjes për përfitimin e lirisë ata duket se janë të vetëdijshëm për vështirësinë që i pret përballë rikthimit në një jetë normale.

“Më kishin ngelur dhe 4 muaj e gjysëm, isha dënuar pesë vjet. Tani të shkojmë në shtëpi, të shohim ndonjë punë, si të jetë më e mira”, thotë një i amnistuar nga burgu i Drenovës.

“Ndihma e kufirit të paligjshëm në të cilën unë nuk e kam shkelur ligjin. Këtë burg e kam bërë fare kot”, thotë një tjetër

Fier
152 të dënuar janë liruar duke përfituar nga amnistia në burgun e Fierit. Më të rinjtë thonë se janë të gatshëm për të rrifilluar jetën normale.

Të kënaqur nga falja, ka edhe nga ata që i kërkojnë shtetit qe drejtësia të veprojë njësoj për të gjithë.

“Në radhë të parë është humanizmi. Drejtësia qoftë e drejtë apo e padrejtë e shohim”, thotë një i liruar nga burgu i Fierit.

“Isha dënuar për vjedhje me dhunë. E bëra nga papunësia, nga ekonomia që jemi të dobët”, thotë një i ri i sapo dalë nga burgu.

“Isha dënuar për aksident. Jam i kënaqur nga amnistia”, thotë një tjetër që la qelinë.

Top Channel