Reforma zgjedhore drejt dështimit. Bie propozimi i PD për votën elektronike

13/01/2017 00:00

Nëse do të bëjmë një punë, një gram punë, është jo nëse do të bëhet votimi elektronik, por si do të behet?”, tha Gent Strazimiri, deputet i PD-së.

Por Komisioni për reformën zgjedhore nuk bëri asnjë gram punë. Madje kjo mund të jetë mbledhja e fundit e tij.

Megjithëse socialistët u shprehen dakord për votimin elektronik, mosdakordësia me demokratët ishte për rolin që komisioni do t’i jepte OSBE/ODIHR-it në vlerësimin e mundësive për përdorimin e teknologjisë në zgjedhjet e qershorit.

“Marrim një vendim tani, sipas propozimit, që përveç punës hulumtuese të ekspertëve ti kërkojmë zyrtarisht edhe OSBE/ODIHR-it të vijnë të na japin një opinion për këtë çështje”, tha Taulant Balla.

“Vendimin e caktojmë ne, ky parlament. Ajo që ne do t’i kërkojmë OSBE/ODIHR-it është si bëhet më mirë, jo nëse bëhet ose jo”, tha Oerd Bylykbashi.

Ky debat zgjati më shumë se dy orë e gjysmë, derisa Oerd Bylykbashi hodhi në votë propozimin e tij për t’i dhënë OSBE/ODIHR rol vlerësues sesi bëhet votimi elektronik.

Komisioni nuk merr dot vendim pa konsensusin e dy partive të mëdha dhe ky ishte momenti kur opozita e braktisi komisionin.

“Vetoja e vrau reformën zgjedhore dhe zgjedhjet”, tha Bulukbashi.

Por a do të thotë kjo se opozita do ta përshkallëzojë qëndrimin e  saj ndaj Parlamentit?

Mazhoranca, e cila u shfaq e unifikuar në Komision, ka pritshmërite e veta.

“Alibi për të bojkotuar Parlamentin dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhje”, u shpreh Taulant Balla.

Top Channel