Me tenda në -20 gradë, të bllokuar në ishuj edhe nga dimri ekstrem

12/01/2017 00:00

Organizatat joqeveritare në Greqi kanë dhënë përsëri alarmin për gjendjen e mijëra refugjatëve në kampet e pritjes, në kushtet e motit më të keq të regjistruar në vend prej vitit 1968.

Paralajmërimi është bërë nga OJQ vendase,nga Unioni grek i të Drejtave të Njeriut, por edhe nga organizata “Save the Children”, që iu rikujtojnë qeverive të BE-së kushtet e rrezikshme të refugjatëve në këto ditë dimri të acartë në shume vende të Ballkanit, si Greqia, Serbia dhe Bullgaria.

Mediet televizive vendase, por edhe ato të huaja kanë transmetuar pamje dramatike nga disa kampe në Athinë, në Moria të ishullit Lesbos, apo edhe në Selanik, duke kritikuar organet përkatëse, por edhe qeverinë për gjendjen në të cilën ndodhen mbi 10 mijë refugjatë që përballojnë temperatura ekstreme deri në -20 gradë, si dhe reshjet e borës në disa tenda provizore dhe pa ngrohje.

Zyrtarë të lartë qeveritarë kanë pranuar se janë gjendur të papërgatitur për të përballuar një situatë të tillë të shkaktuar nga moti i keq. Ndërsa në Lesbos ka mbërritur një anije e Marinës ushtarake greke, që do të strehojë përkohësisht 500 nga mbi 5.000 refugjatët që ndodhen aty, po bëhen njëkohësisht përpjekje që një pjesë e madhe e tyre të transferohen përkohësisht në hotelet e ishullit.

Top Channel