Kushtet e “të vegjëlve”: Ja çfarë duan për votimet e 2017-s

12/01/2017 00:00

Partitë e vogla parlamentare të opozitës ia bënë të qartë qëndrimin e tyre të unifikuar për zgjedhjet edhe ambasadores së Bashkimit Europian, Romana Vllahutin.

“Si opozitë paraqitëm amendimin se me këtë qeverisje nuk shkohet në zgjedhje. Ia thash edhe ambasadores. Kostoja e manipulimit të zgjedhjeve në kurriz të shqiptarëve është shumë herë më e madhe sesa kostoja kohore apo financiare për të realizuar standardet për votimin, numërimin dhe identifikimin elektronik, çështjet e financimit të partive, çështjet që kanë të bëjnë me mediat, dekriminalizimin e procesit, etj”, deklaroi kryetari i PR, Fatmir Mediu.

Takimi i Vlahutin ishte me të gjitha partitë e vogla parlamentare, të cilat nuk janë kundër përdorimit të teknologjisë në zgjedhje, por PDIU-ja e mazhorancës këmbënguli më shumë tek depolitizimi i procesit.

“Ose të jemi të gjithë pjesë e infrastrukturës zgjedhore, ose sistemi të kalojë në një stad tjetër. Historia e sistemit me dy partitë kryesore, njësoj si sistem Stalinist, që numërojnë dhe rezultatet ua japin të tjerëve aq sa duan dhe si duan ato është një epope që duhet të marrë fund”, deklaroi Mesila Doda.

“Kërkesa kryesore që pranohet është ajo e administrimit teknologjik të zgjedhjeve të ardhshme, si numërimi elektronik, e cila do të çtensionojë mjaft situatën në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Mimoza Hafizi, deputete e partisë Libra.

Bashkimi Europian ka marrë përsipër të organizojë një takim me ekspertë për t’i dhënë përgjigje çështjes së votimit dhe numërimit eletronik. Një kusht që opozita e ka cilësuar si të pakalueshëm.

Top Channel