Kufijtë me Malin e Zi, Podgorica kërkesë Shqipërisë. Bushati: Po e shqyrtojmë

10/01/2017 00:00

Akuzat e homologut të tij serb Ivica Daçiç, se thelbi i politikës shqiptare është krimi kundër serbëve dhe se këto politika po nxisin, sipas tij, sulme ndaj ambasadave të Serbisë pas arrestimit të Ramush Haradinaj, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i ka cilësuar si viktimologji të kombinuara me teatralitet, të cilat nuk prodhojnë asgjë.

Në takim me homologun e tij malazez, Bushati ka prekur dhe çështjen e pazgjidhur mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, atë të përcaktimit të kufirit detar mes dy vendeve.

“Ne kemi marrë një propozim nga Mali i Zi për t’u përfshirë në këtë proces dhe jemi të gatshëm që në kohë të përshtatshme të ulemi dhe të fillojmë diskutimet në mënyrë që kjo çështje të adresohet”, deklaroi Bushati.

Ministri malazez, Sergjan Darmanoviç, i pyetur mbi çështjen e demarkacionit me Kosovën, ka theksuar se nuk e sheh atë si një problem mes dy vendeve.

“Ne e kemi bërë pjesën tonë. Kemi vepruar në përputhje me traktatet dhe të drejtat ndërkombëtare. Kështu që problemin e krijuar me demarkacionin ne e shohim më shumë si një çështje të brendshme politike të Kosovës dhe mesa dimë, ata nuk kanë probleme me ne. Ne nuk e kushtëzojmë Kosovën në asnjë formë për këtë çështje. Ne jemi të durueshëm dhe duhet të presim që forcat politike në Kosovë të gjejnë një mënyrë se si të zgjidhin këtë çështje”, deklaroi Darmanoviç.

Top Channel