Tropojë, zjarri u shkatërroi shtëpinë, 3 familje të pastreha

09/01/2017 00:00

Tre familje në Tropojë kanë mbetur të pastreha për shkak të një zjarri që shkatërroi tërësisht banesën e tyre.

Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në një zonë të largët në Dragobi, kur për shkak të një shkëndije elektrike e gjithë ndërtesa me gjithçka kishte brenda mori flakë.

Zjarri ra në mesditë dhe 9 anëtarët e tre familjeve që jetonin aty mundën të dilnin shpejt, ndërsa një pjesë nuk ndodheshin brenda. Por dëmet materiale janë shumë të mëdha.

Në shtëpinë e Niman Ismalaj jetonin edhe familjet e dy djemve të tij. Tani shtëpia është shkatërruar tërësisht dhe është bërë e pabanueshme.

Banorët njoftojnë në rubrikën “Ti Raporton” në Top Channel se këto dy ditë kanë qëndruar tek të afërmit. Sot pranë tyre kanë shkuar përfaqësues të bashkisë dhe emergjencave civile, por zgjidhja e problemit që kanë këto tre familje duket se nuk është e shpejtë.

Top Channel