Gripi i shpendëve, Panariti: Jemi gati të përballemi

09/01/2017 00:00

Përhapja me shpejtësi e gripit të shpendëve në disa vende të Bashkimit Europian dhe te fqinjët tanë, Greqi e Maqedoni, ka vënë në gjendje gadishmërie dhe autoritetet shqiptare.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti kërkoi nga fermerët dhe kompanitë që mbarështojnë shpendë për mish e vezë të zbatojnë në mënyrë rigoroze kushtet higjeno-sanitare dhe të intensifikojnë dezinfektimin, si masa parandaluese ndaj gripit që rrezikon dhe vendin tonë.

“Situata në vendin tonë është nën kontroll. Nuk kemi situatë epidemiologjike, po duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe ta parandalojmë përmes masave rigoroze”, apeloi Panariti.

Nga Kavaja, ministri Panariti deklaroi dhe se brenda 3-mujorit të parë të këtij viti do të nisë kompensimi për fermerët, kafshët e të cilëve u prekën nga dermatoza nodulare.

“Porosia në Danimarkë me kafshë të rracës është bërë dhe së shpejti do të nisë kompensimi kokë më kokë i fermerëve të prekura”, shtoi Panariti.

Top Channel