Gjendja e rrugës Pogradec-Lin, pjesë e aksit kryesor që lidh qytetet dhe fshatrat juglindore me kryeqytetin e vendit, nuk paraqitet edhe aq e mirë pasi bora dhe akulli janë të pranishme.
Për këtë arsye, administratori i firmës së mirëmbajtjes së këtij aksi, është i pari që është marrë në ndjekje penale për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Procedimi ndaj tij, ka nisur nga specialistët e seksionit kundër korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Korçës, të cilët konstatuan mos marrjen e masave për pastrimin e rrugës.
Neglizhenca e kësaj firme dhe administratorit të saj në pastrimin e rrugës, ka sjellë për pasojë vështirësi në qarkullimin e mjeteve në aksin Pogradec-Lin, ku nuk kanë munguar as aksidentet duke shënuar dëme materiale.
Ky procedim vjen dy ditë pasi drejtori i emergjencave civile Shemsi Prenci denoncoi neglizhencën e firmave të mirëmbajtjes së rrugëve, duke kërkuar nisjen e ndjekjeve penale për drejtuesit e tyre.
Por nga ana tjetër, drejtori i autoritetit rrugor, ka deklaruar se firmat e mirëmbajtjes në asnjë rast nuk kanë rezultuar me shkelje të kontratës. Emergjencat njoftojnë se në këtë segment të vetëm të qarkut të Korçës, përdorimi i zinxhirëve është i domosdoshëm.
Top Channel