Komisioneri i policisë në qytetin indian të Bangalores tha se nuk kishte prova për ngacmime seksuale në masë gjatë natës së ndërrimit të viteve në qytet.
Praveen Sood deklaroi se oficerët e policisë kishin parë pamjet filmike të më shumë se 70 kamerave të sigurisë dhe nuk kishin zbuluar asgjë të tillë, pavarësisht reagimit të madh publik që u bë për këtë çështje.
Shefi i policisë tha se në të vetmin incident që kamerat e sigurisë kishin filmuar një ngacmim seksual, hetuesit kanë nisur punën dhe që tani janë arrestuar 6 persona. Sipas tij bëhet fjalë për një akt të qartë ngacmimi seksual dhe tentativë përdhunimi, por kjo s’ka lidhje me akuzat e bëra nga shumë njerëz për ngacmime seksuale mes turmës së njerëzve që festonte Vitin e Ri.
Pas festimeve në qendër të qytetit, shumë femra thanë se ishin sulmua nga grupe meshkujsh që i kishin ngacmuar seksualisht, një situatë e ngjashme me atë të Këlnit vitin e shkuar, por sipas policisë nuk ka ndodhur asgjë e tillë.
Hetuesit thanë se gjatë festimeve, policia kishte ndërhyrë për të qetësuar një pjesë të zhurmshme të turmës dhe mbase gjatë panikut që pasoi, shumë njerëz kanë menduar se janë sulmuar seksualisht.
Autoritetet thanë se në rastin e filmuar nga kamerat, hetimet nisën pa asnjë padi, sepse krimi është i qartë, ndërsa për shumë rastet e tjera që raportojnë mediat, askush nuk është paraqitur në rajonet e qytetit për të bërë kallëzim.
Top Channel