Rreziku nga krimi kibernetik dhe mashtrimet, policia: Kujdes fëmijët

05/01/2017 00:00

Të gjithë ata që përdorin internetin për blerjet “online” apo transaksione të ndryshme janë në rrezik dhe mund të bien prè e mashtrimeve apo piratëve kompjuterikë. Ky fenomen është kthyer në shqetësim edhe për policinë shqiptare, e cila aktualisht po heton qindra raste të kësaj natyre.

“Duhet të kuptojmë që krimi kompjuterik është krim i organizuar. Autorët janë jashtë dhe pasojat vijnë në Shqipëri. Është shumë e vështirë sot, që pasi të kryhet vepra penale të kthehen lekët, ose të minimizohen dëmet”, tha Suela Bonjaku, specialiste për krimet kompjuterike.

Më të rrezikuarit gjatë lundrimit në internet mbeten të miturit.

“Un mendoj se prindërit duhet t’u lejojnë qasje, por duhet t’i kontrollojnë fëmijët. Çdo i mitur që ka një telefon, ka edhe qasjen në internet dhe që nga ky moment padiskutim ai është më i riskuari”, tha më tej Suela Bonjaku.

Rasti më i fundit i parandaluar nga sektori i krimeve kompjuterike, ishte zbulimi i devijimit të një transferte qindra mijëra euro, e destinuar për një kompani të huaj, por që piratët kompjuterikë ishin bërë gati për ta kaluar në llogarinë e tyre.

Top Channel