Rruga e Kombit mbetet segmenti problematik për udhëtimin me automjete, për shkak se reshjet e dëborës janë shtuar gjatë mbrëmjes së të enjtes. Pjesa më problematike është pas tunelit të Thirrës, ku dëbora po arrin në 60 centimetra trashësi.
Ministri i Transporteve, Sokol Dervishi, bëri me dije se nëse situata mbetet e njëjtë qarkullimi në këtë rrugë do të pezullohet.
“Rruga është bërë vështirësisht e kalueshme, por që në orët që do vijnë situata do rëndohet. Bëj thirrje për të gjithë qytetarët të shmangin sa më shumë qarkullimin në qoftë se nuk kanë ndonjë arsyeje të veçantë sepse edhe borëpastrueset edhe mirëmbajtësit e rrugës e kanë shumë të vështirë të punojnë me makineri të rënda nëpër këmbë apo me qytetarë që qarkullojnë” , deklaroi Dervishi.
Ndërkohë moti i keq ka shkaktuar probleme rrugët e zonave e tjera veriore të vendit. Disa lagje në qytetet e Kukësit dhe të Lezhës kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e dëmtimeve në rrjet.
Në Kukës trashësia e dëborës shkon deri në 30 centimetra. Në Dibër pothuajse të gjitha rrugët rurale janë bërë të pakalueshme. Gjatë orëve të pasdites dëbora nisi me intensitet të lartë në forme stuhie.
Situata paraqitet problematike edhe në Bulqizë, ku temperaturat kanë shkuar në -10 gradë. Në shumë nga segmentet rrugore ka vështirësi në kalim për shkak të ngricave të forta dhe shumë komuna janë izoluar.
Pjesa më e madhe e rrugëve rurale në Bulqizë mbeten të bllokuara. Gjatë mbrëmjes, Ministria e Brendshme njoftoi se kanë filluar problematika për shkak të motit të keq edhe në rajonet e Korçës dhe të Vlorës.
Në juglindje trashësia e dëborës shkon 10 centimetra, ndërsa temperatura në -8 gradë celsius.
Bora nisi me intensitet të larte duke sjellë edhe probleme përsa i takon qarkullimit në disa prej pikave kyçe të rrjetit rrugor. Më e vështirë situata ka qenë në Qafë Plloçë ku dhjetëra mjete kanë hasur vështirësi për të kaluar
Por, Shtabi i Emergjencave deri më tani nuk ka njoftuar për raste emergjence shëndetësore në popullatë. Ndërkohë që dëbora ka rënë edhe në kryeqytet. Në Tiranë temperaturat janë ulur ndjeshëm, ndërsa ka ngricë në pothuajse të gjitha segmentet rrugore.
E rrallë edhe për qytetin bregdetar të Durrësit, ku dëbora rikthehet pas shumë vitesh.
Top Channel