Tahiri bën bilancin: Bllokuam pasuritë e krimit. Kanabisi, luftë që zgjat

04/01/2017 13:45

Gjatë vitit 2016, në vend u ulën ndjeshëm treguesit e kriminalitetit. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bëri bilancin e vitit që lamë pas duke e vënë theksin tek rritja e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, referuar 270 mijë telefonatave dhe 40 mijë denoncimeve në komisariatin dixhital.

Gjatë vitit 2016 në vend ndodhën 71 vrasje, 17 më shumë se një vit më parë, por krahasuar me të gjitha vitet e tjera parardhëse është një shifër më e ulët. Ndërkohë, në statistikat e policisë vihet re një rritje e ndjeshme e vlerës së aseteve kriminale të sekuestruara.

“Kur unë mora detyrën në 2013, policia kishte sekuestruar vetëm 1.2 milion euro pasuri kriminale. Sot, vetëm vitin e kaluar janë 47.6 milionë euro pasuri dhe asete kriminale të sekuestruara”, deklaroi Tahiri.

Viti 2016 do të mbahet mend për sasisë rekord të kanabist të asgjësuar, por a e ka fituar betejën policia me këtë fenomen?

“Unë nuk quaj asnjë betejë të fituar. Unë mendoj se nuk e kemi dot mundësinë të fitojmë këto beteja brenda një viti, apo brenda 4 vjetëve. Por ne kemi fituar diçka shumë të rëndësishme, luftën me mentalitetin e së kaluarës”, tha Tahiri.

Për vitin 2017, Tahiri cilësoi si prioritete absolute luftën kundër dhunës në familje dhe godtijen e fenomenit të armëmbajtjes pa leje, nisur nga statistikat alarmante të vitit që lamë pas.

Top Channel