Epidemia e gripit, PD: Qeveria reagoi me vonesë

04/01/2017 00:00

Sekretari për shëndetësinë në PD, Tritan Shehu, duke analizuar situatën e epidemisë së gripit në vend ka deklaruar se qeveria dështoi në trajtimin e gjendjes virale në nivelin parësor.

Sipas tij, ekspertët e fushës përkatese të PD-së, mbasi analizuan gjendjen në vend dhe të dhënat perkatese vlerësojnë se paraqitja aktuale virale mbetet shumë shqetësuese, veçanërisht për fëmijët dhe personat e rrezikuar.

“Në këto kushte u konstatua se alarmi duhej dhënë rreth dy javë më parë, kur nivelet e “alertës” filluan të flisnin për një epidemi. Kjo duhej veçanërisht të reflektohej në gatishmërinë e sistemit parësor, këshillimin shëndetësor, vaksinimet, etj”, ka thënë Shehu.

Ai ka theksuar se, mbipopullimi këto ditë i urgjencës së pediatrisë në QSUT provon se masat e qeverisë nuk janë marrë në kohën e duhur.

“Vaksinimi i personelit shëndetësor dhe i personave të riskut që po fillon sot duhej të kryhej rreth 4 javë më parë që të ishte i vlefshëm për ketë valë gripale. Në këto kushte është e domosdoshme që të forcohet puna në nivelin e mjekut të familjes, shërbimit pediatrik dhe atij të specializuar ambulator”, ka thënë Shehu.

Gjithashtu, ka vijuar ai, organizimi i një propagande shëndetësore të shpejtë, të gjerë dhe efikase është i rëndësishëm.

“Në kushtet ekzistuese, grupe të veçanta të sëmurësh, sipas rekomandimit të mjekëve, duhet të furnizohen edhe ambulatorisht e gratis me antiviralen Tamiflu”, ka pohuar Shehu.

Ai ka shtuar se, mbyllja e çerdheve, kopshteve dhe shkollave deri më date 9 janar është një masë e pamjaftushme. “Kjo ndërprerje duhet të shtrihet deri më datë 16 janar”, ka thënë Shehu.

Top Channel