Gripi mbyll shkolla e kopshte; Qeveria: Pushim një nga prindërit

03/01/2017 00:00

Përhapja e menjëhershme e virusit të gripit në popullatë ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të mbyllë çerdhet, kopshtet dhe shkollat në datat 4, 5, 6 dhe 7 janar, me qëllim frenimin e tendencës rritëse të numrit të njerëzve që po preken nga virusi.

Pas vendimit për të mbyllur shkollat e çerdhet deri më datën 7 janar për të parandaluar shpërndarjen e gripit , Qeveria ka marrë vendimin për të lënë pushim 4-5-6 Janar një prej prindërve që punojnë në administratë, e që kanë fëmijë të mitur.

“Qeveria, në vijim të masave parandaluese të Ministrisë së Shëndetësisë, vendosi edhe caktimin e këtyre datave, 4, 5 dhe 6 janar 2017, ditë pushimi për një nga prindërit që kanë fëmijë të mitur që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin fillor, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror dhe vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore”, thuhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.

Gjithashtu i bëhet thirrje sektorit privat që t’u vijnë në ndihmë prindërve me fëmijë të mitur që të marrin të njëjtin vendim.

“Qeveria iu bën thirrje edhe të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të një nga prindërve që kanë fëmijë të mitur që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin fillor”, thuhet më tej në VKM.

Vendi ynë është përfshirë nga epidemia a gripit tanimë, pasi në një javë rezultojnë mbi 15 mijë të prekur që janë regjistruar. Numri mund të jetë edhe më i madh, pasi shumë qytetarë nuk paraqiten për të kërkuar ndihmën e mjekut.

“Përhapja ishte e menjëhershme. Ka filluar që në dhjetor dhe është përhapur me shpejtësi. Simptomat janë temperaturë e lartë, dhimbje muskujsh, këputje…”, thotë shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino.

Virusi AH3N2 nuk është më agresiv nga virusi AH1N1 që qarkulloi në vendin tonë. Virusi ka prekur çdo moshë, por format më të rënda i kalojnë fëmijët e vegjël, të cilët kanë tejmbushur shërbimin e urgjencës në pediatri. Por, specialistët i kerkojnë të bëjnë kujdes të moshuarve dhe atyre që kanë sëmundje.

“Të gjithë personat që kanë sëmundje pulmonare apo probleme kardiake duhet të vaksionohen. Vaksina shpërndahet falas në qendrat shëndetësore“, shpjegon Bino.

Sipas zonjës Bino, vaksina mund të bëhet në çdo kohë dhe mbron popullatën nga format e rënda të gripit, pasi edhe pse ende nuk ka asnjë rast humbje jete të konfirmuar në rrugë laboratorike deri më tani, gripi mund të shkaktojë edhe vdekje. Nga ana tjetër, Insitutiti i Shëndetit Publik bën thirrje për të shmangur ambientet e mbyllura dhe kujdes të veçantë ndaj higjienës, si mos hedhja e facoletave vend e pavend apo larja e herëpashershme e duarve.

Top Channel