Grekët “mbyten” nga taksat

03/01/2017 00:00

Viti 2017 ka sjellë për grekët një “cunam” të ri taksash, pasi qeveria, sipas programit të saj, duhet të paraqesë para kreditorëve të ardhura shtesë prej 2.5 miliardë euro.

Ata që do të paguajnë përsëri këtë çmim janë qytetarët e thjeshtë, të cilët prej një janarit kanë parë të rritet taksa e veçante e konsumit tek karburantet si benzina, nafta, nafta e ngrohjes dhe gazi, duke bërë që dhe çmimi i tyre të rritet nga 3 deri në 10 cent për litër.

Deri në 20% rriten taksat tek cigaret dhe 10% cigaret elektronike. 2 deri në 3 euro për kg rritet edhe çmimi i kafesë nga taksa e veçantë e vendosur mbi të prej fillimit të këtij vit. Prej 1 janarit të gjithë grekët që kanë telefon kabllor në shtëpi do të paguajnë 5% më tepër të çmimit në çdo muaj. Përveç artikujve të përditshëm, pronarët e shtëpive apo dyqaneve që japin me qira do të duhet të paguajnë një taksë më të lartë në shtet, ndërsa nga 2,2% deri në 10% rriten edhe taksat mbi të ardhurat e profesioneve të ndryshme si avokatë, mjekë, noterë etj.

Në total përllogaritet se grekët do të paguajnë në taksa këtë vit më shumë se 3 miliardë euro të tjera përveç atyre që paguanin në vitet e mëparshme. Jehona e rritjes së taksave në Greqi nuk ka mbetur pa u komentuar edhe nga mediat e huaja dhe sidomos ato gjermane, të cilat theksojnë se kriza në Greqi ende pas shtatë vitesh duket se nuk ka marrë fund.

Top Channel