Mediet e huaja, jehonë zbatimit të Dekriminalizimit mbi 3 zyrtarë

29/12/2016 00:00

Lajmi i heqjes së mandateve të dy deputetëve dhe një kryebashkiaku nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, është pasqyruar edhe në mediet prestigjioze ndërkombëtare si “Associated Press” dhe “New York Times”.

Sipas asaj që shkruajnë këto medie, ndërprerja e mandateve të këtyre 3 zyrtarëve të zgjedhur në vend ka ardhur si pasojë rekordeve kriminale të zbuluara në të kaluarën e tyre. Një vendim i marrë gjatë kësaj të enjteje, që përbën edhe ndëshkimet e para të ligjit të miratuar vitin e kaluar të dekriminalizimit, i cili ndalon njerëzit me rekorde kriminale që të mbajnë poste publike, apo të shërbejnë në administratë.

KQZ-ja, siç dihet, ka ndërprerë mandatet e dy ligjvënësve, Dashamir Tahiri nga PDIU-ja, i cili bën pjesë në grupin parlamentar demokratik, si dhe Shkëlqim Selami, nga Lëvizja Socialiste për Integrim, por edhe të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi.

Të tre këta zyrtarë kanë mohuar rekordet kriminale që çuan në këtë vendim të KQZ-së, por prokurorët thonë se ata kanë pasur dënime në Itali dhe Zvicër, për krime që përfshijnë pastrimin e parave, trafikun e drogës dhe trafikun e qenieve njerëzore.

Shqipëria, e cila do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare në qershorin e ardhshëm, pritet të ketë edhe zgjedhje të parakoshme lokale në Kavajë, për të zgjedhur pasuesin e ish-kryebashkiakut Rroshi.

Top Channel