Greqi, publikohen pasuritë e politikanëve: Michaloliakos, më i pasuri

29/12/2016 00:00

Kreu i “Agimit të Artë”, Nikos Michaloliakos konsiderohet si më i pasuri nga 8 udhëheqësit e partive parlamentare në Greqi, me të ardhura rreth 92.000 euro në vit dhe depozita bankare prej 237.000 eurosh me bashkëshorten e tij deputete.

Në bazë të deklaratave të pasurive të paluajtshme dhe depozitave bankare për vitet ekonomike 2014 dhe 2015, që publikoi Komisioni i Transparencës së Parlamentit grek për ministrat, deputetët dhe udhëheqësit politikë aktivë në këto vite, kryeministri Tsipras ka shfaqur të ardhura të qëndrueshme rreth 71.000 euro në vit, ka në pronësi një shtëpi 114 m2 dhe një motoçikletë, ndërsa kursimet e tij bankare janë rritur nga 19.000 në 23.000 euro.

Me të ardhura rreth 77.000 euro në vit shfaqet edhe udhëheqësi i “Demokracisë së Re”, Kyriakos Mitsotakis, që deklaron depozita bankare prej 62.000 eurosh, si dhe një automjet 1.390 kubikë.

Por në shtypin grek komentohen më shumë me epitete si “E majta e Haviarit” apo “E majta borgjeze”, disa prej ministrave të kabinetit “Tsipras”, me të ardhura dhe depozita të konsiderueshme, ku vendin e parë e zë i ashtuquajturi “çifti i artë”, ministri i Ekonomisë dhe bashkëshortja e tij zv.ministre e Punës, me depozita mbi 3 milionë euro dhe në pronësi disa shtëpi.

Nuk bie poshtë nga pasuria e paluajtshme edhe ministri Mbrojtjes dhe aleati i Tsiprasit në qeveri, Panos Kammenos, ndërsa nuk iu ka shpëtuar komenteve për të ardhurat e tij të konsiderueshme edhe ish-ministri i Financave, Yanis Varoufakis.

Në përgjithësi, – të majtë, të djathtë apo të qendrës, – politikanët grekë, ministra apo deputetë, duket se nuk vuajnë pasojat e krizës 7-vjeçare në vend, pasi vetëm paga e deputetit rreth 70.000 euro në vit konsiderohet tepër e lartë, në krahasim me shumicën e grekëve që janë përballur me reduktimet e pagave dhe pensioneve, apo kanë njohur fytyrën e egër të papunësisë.

Top Channel