Ulja e temperaturave rikthen reshjet e borës në Korçë

28/12/2016 00:00

Juglindja e vendit i është rikthyer të ftohtit dhe temperaturave të ulëta. Pas mesditës së të mërkurës, reshje të dendura bore janë regjistruar në zonat malore të qarkut, por edhe në qytetin e Korçës.

Si pasojë e reshjeve, të cilat kanë zgjatur për disa orë, edhe një herë qytetarët e Korçës i janë rikthyer veshjes së tyre dimërore dhe çadrave.

Sipas të dhënave, në gjithë qarkun bora ka krijuar probleme në disa nga akset rrugore, ndërsa temperaturat kanë rënë ndjeshëm.

Trashësia maksimale e borës ka arritur në pikën turistike të Dardhës në 10 cm, duke e bërë të detyrueshëm përdorimin e zinxhirëve, ndërsa më pak reshje ka pasur në Voskopjë, ku trashësia ka arritur rreth 7 cm.

Edhe aksi Qafë Thanë-Pogradec dhe ai i Kapshticës janë prekur nga reshjet e borës, por sipas të dhënave nuk ka patur trashësi dhe për rrjedhojë as problematika në qarkullim.

Pavarësisht fenomenit të zakonshëm për stinën, situata në akset dhe rrugët e të gjithë qarkut raportohet normale dhe pa bllokime të lëvizjes.

Top Channel