LSI bashkon votat me PD, rrëzon buxhetin e Bashkisë së Durrësit

28/12/2016 00:00

Këshilli bashkiak i Durrësit rrëzon projektbuxhetin e vitit 2017 në një mbledhje të karakterizuar nga debate dhe tensione të forta mes këshilltarëve të opozitës dhe kryebashkiakut Vangjush Dako.

Kundërshtimit të buxhetit nga këshilltarët e djathtë i është bashkuar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka kërkuar kohë për të konsultuar buxhetin e paraqitur për miratim, i cili sipas saj ka anashkaluar diskutimet me grupet e interesit.

Demokratët kanë deklaruar se buxheti i konsideruar nga Dako si më i miri i 10 viteve të fundit, është një buxhet luksi, pasi vetëm një pjesë e vogël e tij shkon për investime publike, pjesa dërrmuese e të cilave në ndërtimin e sheshit para hyrjes së portit.

Kryebashkiaku i Durrësit ka mbetur i surprizuar nga procesi i votimit, ku votës kundër të të djathtëve iu bashkuan edhe votat kundër dhe abstenuese e këshilltarëve të LSI-së, duke mosplotësuar as shumicën e thjeshtë prej 26 votash pro, të nevojshme për miratimin e projektbuxhetit.

Projektbuxheti morri 21 vota pro, 15 kundër dhe 2 abstenime dhe duhet te kalojë sërish në Këshillin Bashkiak për miratim, me ndryshime ose jo, kjo do të varet nga marrëveshja mes PS-së dhe LSI-së, aleanca mes të cilave ka marrë një goditje.

Top Channel