Ndërtimet në Tiranën e vjetër. Plani i ri, në njësinë 8 do lejohen pallatet disakatëshe

27/12/2016 00:00

Me planin e ri urbanistik të Tiranës i hapet rrugë ndërtimeve të reja në njësinë administrative numër 8, një zonë me shtëpi njëkatëshe ku deri më tani nuk është ndërtuar pasi konsiderohej zonë me vlera historike.

“Përsa kohë shtëpia e partisë nuk është më, nuk është më zonë historike. Do të ruajmë disa elemente historike ndërsa pjesa tjetër që janë shtëpi të vjetra , do t’i japim mundësi të ndërtohen”, thotë Jon Baboçi, drejtor i Urbanistikës.

Në të gjithë Tiranën do të mund të ndërtohet aty ku ka hapësirë, por intensitet më i lartë ndërtimi do të ketë aty ku nevojitet zgjerim i infrastrukturës.

“Në Rrugën e Kavajës, në unazën e dytë të qytetit (rruga ‘Fortuzi’) në Rrugën e Durrësit, atë të Dibrës ku ka interes bashkia për të zgjeruar infrastrukturën dhe rrugët kryesore të qytetit”, vijon Baboçi.

Plani parashikon ndërtime të larta por jo  më shumë se ato ekzistuese.

“Ka limite nga 3 kate në periferi deri në 9-10 kate në qendër”, thotë ai.

Sipas Baboçit do të ketë tolerancë në lartësinë e kateve për ata që zvogëlojnë gjurmën e ndërtimit për të liruar hapësirë publike. Për planin e ri rregullues janë bërë 24 dëgjesa pubike dhe 100 takime me grupe interesi,urbanistë dhe arkitektë në Tiranë.

Top Channel