Ndotja në Osum, banorët: Shkarkohen mbetjet nga fabrikat e lëkurëve

26/12/2016 00:00

Lumi Osum në Berat është ndotur mesditën e së hënës. Banorët ankohen se, nga ujërat e tij vjen një erë e rëndë dhe u kërkojnë institucioneve të ndërhyjnë.

Ata thonë se kjo ndodh rëndom gjatë ditëve të pushimit, kur fabrikat – sipas tyre, – nuk vënë në përdorim pajisjet përpunuese të mbetjeve nga proceset teknologjike.

“Këtu janë dy pika, një në Uznovë dhe një në Vodicë. Këto janë mbeturinat e lëkurave dhe, o ka mundësi shteti që t’i bllokojë, o s’ka njeri. Asnjëri nga ne nuk mund t’i bllokojë dot këto. Ata duhet të shikojnë që po qelbet lumi dhe bashkë me të edhe Berati”, tha një qytetar.

“Është një fatkeqësi shumë e madhe për Beratin, qytet muze, që të derdhen ujërat e zeza këtu apo edhe mbetjet e lëkurës”, thotë një tjetër qytetar.

“S’ke çfarë bën, kjo punë është përditë”, thotë një beratas.

“Lumi nuk ka qenë i ndotur, madje frekuentohej edhe për plazhe”, tha një tjetër.

Lumi Osum, që përshkon qytetin muze të Beratit, prej vitesh ka humbur hijeshinë e tij, si pasojë e derdhjes në të të ujërave të zeza, mbeturinave dhe së fundmi mbetjeve industriale.

Top Channel