Bashkia e Tiranës prezanton projektin e ri të planit rregullues

26/12/2016 11:35

Plani urbanistik i Tiranës policentrike, ku janë parashikuar 7 qendra kryesore, 5 unaza me prioritet transportin publik, pritet të marrë miratimin e Këshillit Bashkiak të enjten. Por më parë, ky dokument u është shpjeguar në detaje këshilltarëve që do ta votojnë atë.

“Tirana do të jetë një metropol kaleidoskopik, një qytet intensiv, i aksesueshëm nga të gjithë, e që ruan trashëgiminë historike duke e shndërruar atë në turizëm aktiv”, tha Stefano Boeri, hartues i planit urbanistik të Tiranës.

Këshilltarët e djathtë u ankuan për kohën e shkurtër që kanë dispozicion deri në votimin e planit.

“Ajo që është e vërtetë është mungesa totale e transparencës”, tha Leonard Olli, këshilltar i PD-së.

“Në përfundim të një sërë konsultimesh që Bashkia e Tiranës dhe ekipi që është marrë me planin urbanistik kanë bërë në konsultimet e tyre me qytetarët, kemi vënë re se janë mbledhur kritika, projekte dhe propozime në procesin e dëgjesave publike. Duhet të jemi transparent dhe të përgjegjshëm, pikërisht për votimin që duhet të bëjmë”, tha Aldrin Dalipi, kryetar i Këshillit Bashkiak.

Kryetari i bashkisë vlerësoi si tepër të nevojshëm këtë dokument, që do të orientojë zhvillimin e Tiranës deri në vitin 2030.

“Ndryshimi demografik dhe gjeografik i Tiranës, qoftë si shtesë 30% e popullsisë, apo si rritje 25 herë e territorit, nënkupton që një pjesë nuk mund të vlejë për të tërën dhe Tirana urbane që ne kemi sot nuk vlen për të tërën. Ne kishim nevojë absolute për një plan të ri. Plani i kaluar parashikonte një Tiranë të ngjeshur nga ana urbane që në 15-20 vitet e ardhshme parashikonte 4.5 milionë banorë. Kjo ne na u duk pak e paarsyeshme. Nuk mund të kemi një Shqipëri e gjysmë vetëm në Tiranë. I kemi dhënë planit një masë pak më njerëzore, duke parashikuar një Tiranë që në vitin 2030 ka 1.5, 1.6 milionë banorë”, tha Veliaj.

Veliaj u kërkoi këshilltarëve të jenë të vëmendshëm në çdo pikë të planit dhe betejën politike ta bëjnë të enjten në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Top Channel