Veliaj: Do ndalojmë spekulimin me çmimet

23/12/2016 00:00

Bashkia e Tiranës garanton qytetarët se nuk do të lejojë spekulimin me çmimet, siç ndodh rëndom në periudhën e festave. Gjatë një inspektimi në tregun e gjësë së gjallë në Baldushk, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli për masat që do të merren për të shmangur abuzimet.

“Blini aq sa ju duhen, duke mos i lënë shans që të abuzojnë me çmimet dhe të ekzagjerojnë fitimin e tyre në këto ditë. AMK-ja do të jetë në krye të detyrës për të ndëshkuar çdo spekulant, por ama edhe qytetarët duhet të përgjigjen, të jenë konsumatorë inteligjentë, të mos mbiblejnë, duke e ditur që dyqanet sërish do të hapen”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku këshilloi qytetarët që të orientohen drejt produkteve vendase, sidomos në këtë periudhë festash.

 “U bëj thirrje qytetarëve që të përfitojnë nga fakti që këtu garantojmë cilësinë, garantojmë ekonominë vendase dhe kemi të gjithë veterinerët dhe stafin e AMK-së për të siguruar që çdo gjë është me higjienë dhe e certifikuar”, u shpreh Veliaj.

Bashkia u bëri thirrje fermerëve të zonës të shesin në tregun e Baldushkut. Kjo nismë, që ka gjetur përkrahje nga banorët, është përshëndetur edhe nga deputeti Xhemal Qefalia.

Top Channel