Asambleja e PS shkarkon Kokëdhimën

23/12/2016 00:00

Me mbi 300 vota pro dhe vetëm 3 kundër, Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste vendosi shkarkimin e Koço Kokëdhimës nga posti i sekretarit për reformën struktorore dhe emigracionin, me argumentin se prej disa muajsh ka përhapur retorikën e përçarjes në parti me anë të aktiviteteve vetjake.

Kokëdhimën e zëvendësoi Stefan Çipa, edhe ky një ish-deputet i kohës së Fatos Nanos, por që është rikthyer prej disa kohësh në qeveri, në postin e zv.ministrit të Brendshëm.

“Koço Kokëdhima nuk është më nga sot as sekretar për reformën strukturore dhe emigracionin dhe as anëtar i Asamblesë Kombëtare. Kujtoj këtu që zoti Koço Kokëdhima është zgjedhur si anëtar i Asamblesë Kombëtare në kundërshtim me statuin e partisë. Ministrat anëtarë të PS, deputetët anëtarë të PS janë automatikisht anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Kur ne kemi bërë në kongres votimin e Asamblesë, Koço Kokëdhima ka qenë deputet. Përfshirja e tij në listën e kandidatëve të shtuar kongresit për votim ka qenë anti-statutore”, deklaroi nënkryetari i grupit socialist Taulant Balla.

Pavarësisht këtij votimi, vetë Kokëdhima, në një dalje për mediat deklaroi dorëheqjen nga kjo detyrë, duke shtuar se ai mbetet ende anëtar i Partisë Socialiste. “Unë do të vazhdoi lëvizjen time në PS”, tha ai.

Top Channel