Selami: Nuk jam dënuar kurrë në jetën time!

22/12/2016 13:10

Shkëlqim Selami, deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroi edhe një herë në seancën plenare të së enjtes se nuk është arrestuar dhe as dënuar ndonjëherë në Itali.

“Dekriminalizimi duhet bërë patjetër, por njerëzit nuk duhet të kenë presion nga prokuroria. Partia Demokratike të mos bëjë presione. Prokuroria ka dërguar brenda gjysmë ore shkresën për heqjen e mandatit për mosdeklarim për ato që kisha deklaruar. Është një skandal i vërtetë. Unë nuk jam dënuar kurrë dhe nuk jam arrestuar kurrë në gjithë jetën time”, tha Selami.

“Sikur një ditë të vetme të isha dënuar, nuk do të isha pjesë e këtij Parlamenti. Prokuroria të bëjë detyrën e vet, por pa iu ushtruar presion. Edhe KQZ-ja të shohë provat shkresore e më pas të vendosë për mandatet”, tha më tej Shkëlqim Selami.

Prokuroria nisi ndjekjen penale ndaj dy deputetëve, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri me akuzën e falsifikimit të dokumentave zyrtare. Veprimi i menjëhershëm i Prokurorisë është pasojë detyruese e ligjit të dekriminalizimit, i cili e parashikon këtë masë kur organi i akuzës konstaton se funksionari publik nuk ka bërë deklarim të plotë të të dhënave.

Top Channel