Presidenti Nishani takohet me Erdoganin

22/12/2016 10:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë vizitës zyrtare në Turqi u prit në takime të veçanta nga Presidenti Erdogan, Kryetari i Asamblesë së Madhe të Kombit, Ismail Kahraman, si dhe Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim.

Pas ceremonive dhe nderimeve ushtarake të mirëseardhjes në Pallatin Presidencial, Presidenti Nishani dhe Presidenti Erdogan zhvilluan një takim të veçantë së bashku dhe më pas kryesuan takimet e zgjeruara mes dy delegacioneve zyrtare.

Në përbërje të delegacionit zyrtar shqiptar ishin edhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, zoti Selim Belortaja, si dhe Drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica.

Biseda me Presidentin Erdo?an u fokusua në një spektër të gjerë të marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe, ku një vend të rëndësishëm zunë çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit.
 
Presidenti i Republikës shprehu edhe njëherë gjatë takimit keqardhjen dhe ngushëllimet për viktimat e atentateve të fundit terroriste në Stamboll dhe qytete të tjera të Turqisë, si dhe solidaritetin e palëkundur të Shqipërisë, në krah të Turqisë, në luftën kundër terrorizmit dhe sponsorizuesve të tjerë, duke iu referuar edhe dënimit nga autoritetet shqiptare të tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi, më 15 korrik të këtij viti. Gjithashtu, Presidenti Nishani shprehu ngushëllimet edhe për vrasjen e Ambasadorit të Federatës Ruse në Turqi, duke e dënuar me forcë dhe konsideruar si burracak këtë akt.
 
Presidenti Nishani i konsideroi të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën e madhe dhe shumëdimensionale që Turqia i ka dhënë ndër vite Shqipërisë dhe shqiptarëve, si në fushën ekonomike ashtu edhe përmes asistencës teknike. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Nishani vlerësoi mbështetjen e Turqise mike për modernizimin e policisë dhe të ushtrisë shqiptare, si dhe asistencën e dhënë përmes agjencisë TIKA në Tiranë, duke shprehur besimin e vijimit të aktivitetit të kësaj agjencie edhe në të ardhmen.
 
Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu rolin shumë domethënës dhe të pazëvendësueshëm të Turqisë përsa i përket paqes dhe stabilitetit të rajonit të Ballkanit, duke evidentuar gjithashtu rëndësinë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit me vendet e tjera të rajonit. Një vlerësim të veçantë në këtë kontekst, Presidenti Nishani e bëri edhe për ndihmën e madhe që Turqia i ka dhënë dhe i jep Kosovës për konsolidimin e shtetit dhe të njohjeve të pavarësisë nga shtetet e tjera.
 
Një vemendje të veçantë të dy Presidentët ia kushtuan edhe nevojës së intensifikimit të bashkëpunimit mes institucioneve dhe strukturave të inteligjencës, si dhe ato ligj-zbatuese dhe të sigurisë, në funksion të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.  “Shqipëria është e gatshme të kontribuojë me vendosmëri dhe me të gjitha mundësitë e saj krah Turqisë dhe vendeve të tjera aleate në luftën kundër terrorizmit.” – u shpreh Presidenti Nishani.
 
Pas takimeve zyrtare, në prani të dy Presidentëve dhe delegacioneve zyrtare u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe Agjencisë turke Anadolu, si dhe u vijua me një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pas deklaratave përkatëse, të dy Presidentët iu përgjigjën dhe interesimit të shtypit.
 
Mesazhet e mësipërme u theksuan edhe gjatë takimeve të veçanta me Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare Kahraman, si dhe Kryeministrin Yildirim. Në takimin me zotin Kahraman Presidenti Nishani dënoi sulmin ndaj parlamentit gjatë grushtit të dështuar të shtetit, duke e konsideruar të papranueshme për demokracinë, si dhe vendosi një tufë me lule në vendin e sulmuar të godinës së Parlamentit. Gjithashtu, Presidenti në takimin me zotin Kahraman evidentoi miqësinë e fortë mes dy popujve, duke e siguruar atë se nga Shqipëria dhe shqiptarët rrezatohet vetëm miqësi, respekt e bashkëpunim me Turqinë dhe popullin turk. Në mënyrë të veçantë Presidenti Nishani përshëndeti bashkëpunimin ndërparlamentar dhe theksoi nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
 
Ndërsa në takimin me Kryeministrin Yildirim, Presidenti Nishani u fokusua kryesisht tek mundësia e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, realizimit së shpejti të Komisionit të Përbashkët në këtë fushë, si dhe shfrytëzimit sa më të mirë të mundësive për investime turke në Shqipëri, veçanërisht në fushat e energjisë, infrastrukturës, turizmit dhe fusha të tjera.
 
Me rastin e kësaj vizite zyrtare, Presidenti i Republikës vendosi edhe një kurorë me lule në Mauzoleumin e Mustafa Kemal Ataturkut, si dhe la një shënim në librin e miqve, ku evidentoi rolin e jashtëzakonshëm të Ataturk në ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve miqësore mes dy popujve.

FOTO GALERI
3/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA