Funerali i Mladiç ndez debat/ Kos anulon vizitën në Serbi, Brukseli kundër glorifikimit shtetëror të të dënuarit përjetë për krime lufte
Rumania mund të drejtohet për herë të parë nga një kryeministre femër. Liviu Dragnea, kreu i partisë Social Demokratike të Rumanisë, që fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare, propozoi këtë të mërkurë emrin e Sevil Shhaideh për postin e kryetares së ekzekutivit.
Presidenti Klaus Iohannis po konsultohet ndërkohë me udhëheqësit politikë, përpara se të shpallë kandidatin për kryeministër, i cili duhet të miratohet më pas në Parlament. Nëse ligjvënësit do ta miratojnë propozimin e Dragneas, Shhaideh do të bëhej gjithashtu edhe e para kryeministre myslimane e vendit.
Dragnea e ka të ndaluar të bëhet kryeministër i vendit për shkak të një dënimi për manipulim të zgjedhjeve në të kaluarën.
Të mërkurën, Dragnea e quajti dënimin e prillit të këtij viti si “të padrejtë” dhe tha se ligji, i cili ia ndalon atij të kryesojë ekzekutivin “të paktën për momentin”, është “thellësisht antikushtetues”.
Parlamenti i ri pritet me shumë gjasë që të votojë për ndryshimin e ligjit të vitit 2001, i cili ndalon cilindo të dënuar penalisht të mbajë poste ministrore.
Shhaideh, shumë pak e njohur në spektrin politik, ka qenë ministre për Zhvillimin Rajonal gjatë vitit 2015 për një periudhë 6-mujore, pikërisht në atë ministri ku ajo kishte punuar që prej vitit 2012.
Socialdemokratët e së majtës rumune fituan me lehtësi zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit, megjithatë nuk arritën të siguronin shumicën e nevojshme, ndaj dhe do të qeverisin vendin në koalicion me një partner të pakicës.
Top Channel