Prokuroria heton deputetin e LSI-së

20/12/2016 00:00

Me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimin për deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shkëlqim Selami.

Për deputetin u deklarua se kishte një dënim për trafik të qënieve njerëzore dhe futjen në Itali të qytetarëve ekstrakomunitarë, dënim që u tha se deputeti nuk e kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimeve për dekriminalizimin.

Prokuroria nisi hetimin dhe sot thirri për të pyetur deputetin e LSI-së në Vlorë, Shkëlqim Selami. Zoti Selami qëndroi disa minuta në prokurori, ku mësohet se ka dhënë dëshminë e tij para prokurorëve. Më pas ai është larguar nga prokuroria pa dhënë asnjë deklaratë.

Më herët, deputeti i LSI-së, në një intervistë për Top Channel tregoi vendimin e pafajësisë së tij të dhënë nga gjykatat italiane.

Top Channel