Afati për depozitimin e padive në Gjykatën Administrative, lidhur me vendimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni mbi ankesat e partive mbi procesin e votimit, skadoi.

LSDM-ja në opozitë njoftoi se ka paraqitur 4 të tilla, të gjitha pretendime që kanë të bëjnë me votimin në njësine zgjedhore 6. Lëvizja Besa, ndërkohë, njoftoi se nuk do ta apelojë në gjykatë rrëzimin e 7 prej 8 ankesave të saj.

KSHZ-ja i pranoi Besës një ankimim dhe anuloi votimin në një qendër në Gostivar. Pas pranimit të padive, Gjykata Administrative ka 48 orë kohë për të dalë me një vendim. Seanca e KSHZ-së për shqyrtimin e ankesave zgjati 3 ditë dhe i kapërceu afatet e parashikuara ligjore, duke shtyrë kështu edhe kornizat kohore për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Kjo ndodh sepse, ndërkohë, do të pritet dhe vendimi i Administratives për ndonjë rivotim të mundshëm. Nëse rivotim do të ketë vërtet, ai duhet të mbahet më 25 dhjetor, raporton agjencia maqedonase e lajmeve “MIA”.

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, partia e ish-kryeministrit Nikola Gruevski doli me 51 mandate, ndërsa socialdemokratët rivalë me 49. Zoran Zaev pretendon se nga përllogaritjet e tij, secila prej partive të mëdha duhet të kishte marrë 50 vende në Parlament.

Të gjitha partitë shqiptare fituan së bashku 20 vende në Parlamentin e Maqedonisë. Për formimin e koalicionit qeveritar mjaftojnë votat e shumicës së deputetëve, apo 61 të tilla, megjithatë krijimi i ekzekutivit duket një sipërmarrje e vështirë.

Top Channel