Kërkesa e 7 deputetëve: Interpelancë me Ramën për negociatat me BE-në

19/12/2016 00:00

Shtatë deputetë të Kuvendit kërkojnë një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, për çështjen e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Në një kërkesë dërguar kreut të Kuvendit Ilir Meta, deputetët, Mimoza Hafizi, Dashamir Shehi, Astrit Patozi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka dhe Ben Blushi shprehin shqetësimin për shtyrje me afate të panjohuar të çeljes së negociatave për anëtarësim.

“Para pak ditësh, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian nuk vendosi asnjë datë për hapjen e këtyre negociatave, për shkak të mospërmbushjes së pesë kritereve të përcaktuara në të gjitha dokumentet lidhur me vendin tonë. Ne jemi të shqetësuar se çështja e integrimit po shtyhet në afate të panjohura, duke krijuar mungesë shprese, pasiguri e cënim të imazhit të Shqipërisë. Hapja e negociatave me BE është çështje prioritare e politikës sonë, prandaj ne kërkojmë interpelancë urgjente me kryeministrin e vendit lidhur me veprimtarinë e tij e të qeverisë në këtë proces”, thuhet në kërkesën e shtatë deputetëve.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel