PD akuzon Beqajn: Favorizime kompanive per importin e ilaçeve

18/12/2016 00:00

Nëpërmjet zëdhënëses së saj Partia Demokratike ka vijuar akuzat për ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja Ina Zhupa shprehet se ministri ka ndërhyrë në tender, ka ndryshuar kriteret, dhe ka lejuar futjen e barnave të pacertifikuara.

Sipas saj një gjë e tillë bëhet vetëm kur vendi përballet me situata emergjente e një gjë e tillë fatmirësisht nuk ekziston dhe Zhupa shprehet se ministri duhet të japë llogari për këtë skandal.

Deklarata e plotë e zëdhënëses së PD, Ina Zhupa
Ilir Beqaj, ka ndërhyrë në tender, ka ndryshuar kriteret, dhe ka lejuar futjen e barnave të pacertifikuara. Ka vetëm një rast kur Ministri i Shëndetësisë mund të fusë në vend barna të pacertifikuara, vetëm kur vendi përballet me situata emergjente. Po cila ishte situata emergjente. Ua themi ne. Emergjenca e Ilir Beqës për të vjedhur. Në vitin 2014 me një udhëzim, Beqaj i ka hapur rrugën e abuzimeve me miliarda lekë duke i dhënë mundësinë klientit të tij, “Delta Farma”, të futet në tregun e ilaceve, me barna që mund të dëmtojnë rëndë shëndetin e qytetarëve.

Pasi e ka shpallur një tender publik, për blerjen e barnave spitalore me 11 mars, dhjetë ditë më pas, me shkresën nr. 1668/4 Prot, me këtë shkresë këtu, Ministri i Shëndetësisë urdhëron ndryshimin e dokumenteve të tenderit për procedurën e prokurimit. Ilir Beqaj, i hapi rrugën klientit të tij për ta bërë fitues, duke hequr detyrimin për këto dokumenta:

-Vërtetim për regjistrimin e medikamenteve të ofertuar ose certifikatë regjistrimi nga QKKB.

-Autorizim nga prodhuesi nëpërmjet të cilit konfirmohet se operatori ka të drejtën e tregtimit të barnave. Këto ndërhyrje të Beqës janë në shkelje flagrante të nenit 11, 47 dhe 18 të ligjit nr. 9323, datë 25.11.2004 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” i cili përcakton që: “Barnat që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë duhet të jenë të regjistruara.”

Në shkelje të ligjit, por në përputhje të plotë me interesin personal. Kështu iu hap rruga mikut të Beqës, “Delta Farma”, që siç shihet nga ky dokumenti këtu ka bërë kërdinë me kontratat që i ka dhënë Ilir Beqaj. Ky biznes bëri që të hyjnë barna të pasigurta dhe dëmtuese për jetën e qytetarëve, siç janë rastet e bëra publike të Avastinës, që rezultoi i falsifikuar. Ilir Beqaj është përgjegjës për këtë aferë kriminale. Partia Demokratike, do të dorëzojë nesër një kallëzim penal në Prokurori për këtë çështje.

Top Channel