Urgjenca e Fushë-Krujës, qytetarët blejnë vetë medikamentet

16/12/2016 00:00

Një qytetare e Fushë-Krujës ka denoncuar për “Fiks Fare” faktin se sa herë që ka shkuar për të marrë shërbim mjeksor në urgjencë është detyruar të blejë të gjitha medikamentet.

Madje, si provë ajo ka treguar një recetë të vulosur dhe firmosur nga mjekja që shërben në këtë qëndër. Sipas recetës të vulosur dhe firmosur nga mjekja, qytetarja ka blerë fiziologjikun, buscopanin, madje thotë se ka blerë edhe age e shiringa.

“Fiks fare” e ka verifikuar këtë problematikë. Gazetarët kanë udhëtuar drejt Urgjencës së Fushë-Krujës për të parë nëse ka mungesë barnash dhe si është shërbimi në të.

Kryeinfermierja Majlinda Halili tregoi në dhomën e barnave se kishte fiziologjik dhe buscopan. Pyetjes së gazetares, pse qytetarja ishte detyruar me një recetë t’i blinte, Halili heshti.

Në anën tjetër, “Fiks Fare” ka pasqyruar edhe shërbimin që merret në këtë institucion shëndetësor që mbulon jo vetëm Fushë–Krujën, por edhe fshatrat përreth.

Mungesa e aparaturave është e qartë edhe EKG-ja, e cila gjendet, nuk është vënë në funksion pasi, sipas kryeinfermieres, nuk ka ambiente ku mund të vendoset.

Top Channel