“Skënderbej” në pedonale, nis gradualisht devijimi i trafikut

16/12/2016 00:00

Një tjetër segment rrugor në kryeqytet bllokohet për shkak të punimeve në Sheshin Skënderbej. Rruga përpara godinës së Bashkisë do të jetë e pakalueshme për automjetet, gjë që do të sjellë lëvizje të kufizuar  përreth një zone në qendër. 

“E gjithë zona që lidh midis Ushtarit të Panjohur, INSIG-ut dhe 15-katësisht dhe zona para bashkisë kthehet në një zonë me trafik të kufizuar dhe ndërkohë jepet mundësia për t’u përfunduar punimet në Sheshin Skënderbej dhe për ta kthyer atë në pedonale”, thotë Enton Punavija, drejtor i Transportit Rrugor në Bashkinë e Tiranës.

Ndryshime do të ketë edhe për disa stacione të linjave urbane.

“Linja e Uzinës, linja e Saukut, linja e Qytetit Studenti, që kanë stacionin tradicional tek Sahati, do të kalojnë tek kthesa përballë Parlamentit. Qytetarët të jenë të kujdeshëm sepse zhvendosen edhe stacione të tjera si Porcelani dhe ai i Tufinës. Këta nuk largohen shumë nga pozicioni aktual, por thjesht zhvendosen në rrugën paralele”, sqaron Punavia.
 
Trafiku në Tiranë, prej të paktën një muaji është i rënduar. Bashkia ka hapur disa kantiere të cilat kanë ndikuar në këtë situatë. Krahas punimeve të Bashkisë për rikualifikimet urbane, një ndikim të madh ka patur edhe ndërtimi i mbikalimit tek Shkolla Teknologjike, i cili sipas burimeve do të përfundojë në qershorin e vitit të ardhshëm.

“Përfundimi i këtyre punimeve do të lehtësojë shumë trafikun në akset e tjera të qytetit. Gjithashtu, Bashkia ka edhe projekte të tjera siç është zgjatimi i Bulevardit, por të gjitha këto kërkojnë kohën e tyre për përfundimin e punimeve”, deklaron Punavia. 

Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të shmangin sa më shumë lëvizjet me automjet në ditët e festave.

HARTA
Qarkullimi dhe stacionimi i mjeteve të transportit urban qytetës, do të jetë si më poshtë:

• Linja Nr.8 “Ish Stacioni i Trenit – Qendër – Sauk i Vjeter – Sauk i Ri – Senatorium – Teg – Qendër”; Linja Nr.5 “Ish Kombinati i Autotraktoreve”, Linja Nr.10 “Qendër – Mihal Grameno”, do të stacionohen në rrugën “George Ë. Bush” në fund të rrugës “Murat Toptani”.

• Linja Nr.7 “Tufina”, Linja Nr.11 “Porcelani”, do të stacionohen në rrugën “Luigj Gurakuqi”, me itenerar Rruga e “Barrikadave” – “Rruga e Dibrës” – Segmenti pas “Pallatit të Kulturës” – “Rruga Luigj Gurakuqi”.

Top Channel