Sarandë, studentët pa diploma; nuk dihet cili rektor do t’i firmosë

16/12/2016 00:00

Nje grup prej 80 studentësh të cilët kanë përfunduar studimet në vitet 2014-2015 pranë Fakultetit të Infermierisë së Përgjithshme të Sarandës, ende nuk janë diplomuar.

Si studentë të këtij fakulteti ata i kanë shlyer të gjitha detyrimet studimore dhe financiare, por ende nuk janë pajisur me kartonin e diplomës.

Ata zotërojnë vetëm me një listë notash dhe kanë më shumë se dy vjet që presin të marrin kartonin. Këto dy vite, ata i kanë provuar të gjitha, nga greva deri tek protestat e nëjpasnjëshme, por ky problem ende nuk është zgjidhur.

Pak kohë më parë ata u ankuan pranë emisionit “Fiks Fare” ku u shprehën se ndodhen në një udhëkryq pa përgjigje. Sipas tyre, të gjitha ankesat dhe letrat nisur Rekotratit dhe Ministrisë së Arsimit kanë mbetur pa përgjigje. Ata kërcënojnë se do të futen në grevë urie nëse ky problem nuk merr zgjidhje sa më shpejt.

Pas shkrirjes së filialit të Sarandës, në vitin 2013, këta studentë nuk kanë më as se ku të trokasin pasi i përplasin nga njëri institucion në tjetrin. Sipas tyre, kjo problematikë ka ardhur për shkak të vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2013, që ka shkrirë filialin e Sarandës dhe nuk ka parashikuar më vendime plotësuese se cili do të jetë filiali që do të firmosë diplomat e tyre ligjërisht.

“U bënë dy vite që thonë të njëjtën gjë. Punë ditësh dhe do dali një VKM, por akoma s’po shohim asgjë”, u shprehën studentët për kameran e “Fiksit”.

Për këtë problematike të pa zgjidhur prej më shumë se dy vitesh “Fiks Fare” iu drejtua Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë. Sipas rektorit të këtij univeristeti, Arben Gjata, kjo është një problematikë e mbartur.

“Në VKM numër 44 të vitit 2013, që ka bërë ndarjen midis Universitetit të Mjekesisë nga Universiteti i Tiranës, është lënë jashtë Fakulteti i Infermierisë së Përgjithshme Sarandë. Ka mbetur një ngerç ligjor se kush rektor do e firmosë diplomën e këtyre studentëve. Ne presim vetëm të miratohet vendimi i ri për të ndjekur më pas udhëzimet”, thotë ai.

“Fiks Fare” intervistoi edhe sekretarin e përgjithshëm të Ministisë së Arsimit, Plarent Ndreca. Ministria e Arsimit është institucioni i cili duhet të përgatisë projekt vendimin që do të rregullojë këtë ngërç ligjor.

Sipas Ndrecës, hartimi i këtij projektvendimi është çështje ditësh dhe më pas do të kalojë për miratim pranë Këshillit të Ministrave. Ai e mohon faktin që studentët të kenë mbetur në terr informativ për këtë situatë, duke pretenduar se nga ana e ministrisë i është kthyer përgjigje. Ai premton se ky problem do të marrë zgjidhje brenda muajit.

Më në fund, pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave në tetor të vitit 2016, Fakulteti i Infermierisë Tiranë është duke berë të pamundurën për zgjidhjen sa më shpejt të kësaj situate.

Sipas informacionit që “Fiks Fare” mori pas miratimit të vendimit, vetë dekania e këtij fakulteti ka udhëtuar drejt Sarandës. Stafi i fililalit të Sarandës, i mbyllur tashmë, ka bërë të vështirë dorëzimin dhe më pas rakordimin e të dhënavë të studentëve.

Pasi të përfundojë edhe ky proces, studentët do të marrin më në fund edhe diplomat të cilat kanë më shumë se dy vite që i presin. Por problemet duken se nuk kanë të sosur për Fakultetin e Infermierisë së Përgjithshme.

Edhe në Tiranë, studentët e ciklit master, që kanë përfunduar studimet në vitin 2015, ende nuk i kanë marrë diplomat. Pranë emisionit “Fiks Fare” erdhi një ankesë nga një studente e cila jeton jashtë vendit, në Angli.

Sipas saj, prindërit e tyre janë përplasur disa herë në dyert e fakultetit dhe sekretarive, por janë kthyer duar bosh. Lidhur me këtë problematikë “Fiks Fare” intervistoi zv.dekanin e fakultetit, Gentian Stroni.

“Për shkak të zgjdhjeve që u bënë për stafin akademik pranë Fakulktetit të Mjeksisë dhe Infermierisë, si dhe ndërrimit të stafit, të paktën proçedura e tenderit u zgjat. Procedura e depozitimit të firmës së dekanit të ri kërkoi kohën e vetë. Tani jemi në momentin që tenderi është bërë dhe po punojmë për plotësimin e tyre. Nuk janë bërë në janar dhe në shkurt, atëherë kur duheshin, por ne nuk mund të themi pse, pasi është një problematikë e mbartur nga administrata e kaluar”, deklaroi Stroni.

Sipas tij, brenda dy javëve edhe kjo procedurë do të jetë mbyllur dhe rreth 300 studentët e këtij fakulteti do të pajisen më në fund më diplomën e masterit.

Top Channel