PD: Tahiri dhe Rama nuk zbatojnë prej 8 muajsh urdhër-arrestin ndërkombëtar për Balilin

16/12/2016 15:25

Enkelejd Alibeaj doli para mediave për të komentuar dokumentin që tregon kronologjinë e çështjes së Klement Balilit, dokument i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.

“Prej 17 majit, Saimir Tahiri ka qenë nën detyrimin për ta ndaluar Klement Balilin, për të zbatuar urdhërin e kërkimit ndërkombëtar për veprën penale Krijim dhe Drejtim të Organizatës Kriminale, pa pritur më asnjë procedurë tjetër. Kjo është një dëshmi se Saimir Tahiri dhe Edi Rama kanë mbrojtur Klement Balilin prej 8 muajsh. Nesër bëhen saktësisht 8 muaj, që Saimir Tahiri dhe Edi Rama refuzojnë të zbatojnë urdhërin për arrestimin e Klement Balilit. Kjo pra është lidhja e qeverisë me krimin, ky është inkriminimi në nivelet më të paimagjinueshme”, deklaroi Alibeaj, Sekretar për Rendin dhe Sigurinë në Partinë Demokratike.
 
“Kjo është dëshmia që Edi Rama nuk shkëputet nga krimi, nuk zbaton dekriminalizimin që e kërkon edhe Europa si kusht për procesin e integrimit. Kjo është mbrojtja e drogës, e trafikantëve, e karteleve. Ne e kemi denoncuar qysh ditën që Edi Rama e emëroi Klement Balilin shefin e transportit të jugut, si emërimin e një personi me të shkuar kriminale, të arrestuar në flagrancë me 750 kilogram drogë. Por, Edi Rama jo vetëm nuk reagoi pas këtij denoncimi, por edhe kur vjen kërkesa për arrestimin e tij, nga gjysma e policive të Europës, nuk e zbaton dhe e mbron atë deri në fund. Ja pra kush është rreshtuar me krimin, me drogën, me trafikantët, kundër shqiptarëve, kundër interesave të vendit”, shtoi Alibeaj.

Top Channel