Meta pret zyrtarin amerikan, diskutohen çështje të sigurisë

16/12/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti këtë të premte në një takim ndihmës sekretarin për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Alan Bersin.

Gjatë bashkëbisedimit, Meta falenderoi Bersin për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA për forcimin e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri, si dhe për mbështetjen në drejtim të forcimit të sigurisë.

Dy zyrtarët vlerësuan gjithashtu bashkëpunimin dypalësh për forcimin e sigurisë kufitare, luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe parandalimit të elementëve terroristë.

“Vetëm një sistem transparent dhe modern mund të na ndihmojë të sigurojmë kufijtë tanë më mirë. Bashkëpunimi i ngushtë me SHBA na ndihmon për forcimin e sigurisë kombëtare dhe na rrit kredibilitetin ndaj partnerëve euro-atlantikë. Gjithashtu, ky bashkëpunimi përbën një kontribut për forcimin e sigurisë e rajonit të Ballkanit”, tha Meta.

Kreu i Kuvendit u shpreh më tej se, në këtë drejtim është me rëndësi nënshkrimi pa vonesa i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe SHBA. “Nënshkrimi i Memorandumit do të ndihmojë në shkëmbimin e informacionit biometrik në kohë reale në kufi”, tha më tej Meta.

Nga ana e tij, Bersin tha se, SHBA janë krenare që qëndrojnë përkrah Shqipërisë. “Po punojmë që Shqipëria të jetë pjesë e sistemeve të sigurta e në kohë reale të shkëmbimit të informacionit në pikat kufitare”, tha Bersin, i cili shtoi se, modeli i tolerancës fetare në Shqipëri duhet të ruhet.

Më tej ai vlerësoi me nota pozitive miratimin me konsensus të reformës në drejtësi, e cila sipas tij do të ketë efekte shumë pozitive për Shqipërinë.

“Implementimi i kësaj reforme kyçe do ta ndihmojë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të forcuar shtetin ligjor dhe zbatimin e ligjit”, tha Bersin.

Në këtë kuadër, Meta vlerësoi kontributin e misionit amerikan OPDAT. “Kam besim në suksesin e bashkëpunimit me SHBA edhe gjatë zbatimit të kësaj reforme historike për vendin”, tha Meta.

Top Channel