Për të mësuar më shumë mbi situatën në Maqedoni pas zgjedhjeve të së dielës, i ftuar në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë ish-ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Shaban Murati.

TCH: Zoti Murati, çelësi i krijimit të qeverisë së re në Maqedoni këtë herë është në duart e shqiptarëve, veçanërisht BDI-së së Ali Ahmetit, apo jo?

Shaban Murati: Metafora më duket pak e nxituar për faktin se çelësin shqiptarët e kanë patur që kur u themelua Maqedonia, por e kanë hedhur në det. Nuk kanë qenë në gjendje shqiptarët të imponohen si element në shtetin maqedonas. Edhe struktura e re që doli nga zgjedhjet nuk përcakton një pozicion të rëndësishëm, pavarësisht se duket sikur numri është i domosdoshëm. Duhet të kemi parasysh se që nga krijimi i Maqedonisë, partitë maqedonase kur ka ardhur puna tek neglizhimi i të drejtave themelore të shqiptarëve kanë arritur ta gjejnë gjuhën e përbashkët dhe ta mënjanojnë faktorin shqiptar. Atlernativat (në situatën aktuale) janë nga koalicioni i madh deri tek përsëritja e zgjedhjeve, pra mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, që janë bërë një modë në Maqedoni. Ndaj mendoj se faktori politik shqiptar nuk duhet të jetë shumë i kënaqur me këtë rezultat. 

TCH: Ç’qëndrim duhet të mbajnë partitë shqiptare?

Shaban Murati: Partitë politike shqiptare ndodhen përpara një momenti të vështirë, një moment reflektimi para asaj që ndodhi, sepse kemi një krizë besimi tek faktori shqiptar dhe ai maqedonas, që reflektohet në përgjysmimin e partive klasike, si PDSH dhe BDI, dhe në fitoren, ndonëse jo siç pritej, të dy partive të reja që konkurruan për herë të parë. Pra, asnjëra nuk u bë përfaqësuese dominante e faktorit politik shqiptar, pavarësisht se në aspektin numerik partia e Ali Ahmetit është e para.

TCH: Ju çfarë do të sugjeronit në këtë situatë?

Shaban Murati: Mendoj se nëse partitë shqiptare do të donin të merrnin pjesë në një koalicion, ato mund të bëjnë koalicion me çdo lloj partie dhe Tirana zyrtare dhe institucionet e saj duhet të jenë shumë të vëmendshme që të mos mbajnë qëndrime emotive ndaj asnjërës parti dhe ndaj njërit apo tjetrit personalitet. Shqiptarët duhet të realizojnë atë që unë e kam quajtur “çështja e pazgjidhur e shqiptarëve në Maqedoni”. Duke qenë se kjo çështje përfaqëson shqiptarët, atëherë duhet që këto parti shqiptare ta gjejnë gjuhën dhe të imponojnë kërkesa të rëndësishme, që do të çojnë në pjesëmarrjen e shqiptarëve në vendimmarrjen e shtetit maqedonas.

Top Channel