Maqedonia, në duart e shqiptarëve. Ahmeti shtyn takimin në Tiranë

14/12/2016 00:00

Maqedonia është vërtet në udhëkryq pas rezultatit shumë të ngushtë, e që me gjasa do të shkojë në barazim të plotë mes dy partive maqedonase.

Rezultati i parë doli 51 me 49, por ankesat për zgjedhjet mund të heqin një deputet nga Gruevksi, duke i lënë partitë maqedonase pa asnjë zgjidhje. Çelësi i krijimit të qeverisë së re është në dorën e partisë më të madhe shqiptare, BDI.

Zërat se Ali Ahmeti po negocionte me Gruevskin duken se u përforcuan nga deklarata kërcënuese e Zoran Zaev një ditë më parë.

“Regjimi nuk guxon të formojë qeverinë e Maqedonisë. Të gjitha partitë, përveç VMRO-DPMNE-së, nuk duhet të mendojnë për të shkelur vullnetin e shprehur në zgjedhje, për formimin e qeverisë në koalicion me Nikola Gruevskin. Rezultatet e para kanë hutuar qytetarët. Rezultatet zyrtare ende nuk kanë dalë. Nëse korrigjohen një pjesë e numrave, LSDM-ja do të ketë më shumë mandate në njësinë e 6 zgjedhore dhe me këtë rezultati do të jetë 50 me 50 deputetë”, tha Zoran Zaev, kreu i “LSDM”-së.

Tirana zyrtare është angazhuar për një bashkëpunim të partive shqiptare në Maqedoni, në favor të shqiptarëve. Të martën ishte një takim mes kryeministrit Rama dhe drejtuesve të partive shqiptare. Por në takim mungoi Ali Ahmeti.

Edhe të mërkurën, takimi i vendosur nuk u realizua, ndërsa Artan Grubi, bashkëpunëtor i Ali Ahmetit tha se mbase javën e ardhshme do të ketë një bisedë.

Partitë e tjera i kanë kushtet e qarta.

“Ne jemi pas gjuhës shqipe zyrtare në të gjithë shtetin para se të bëhet qeveria. Fillimisht të votohet ligji. Ne jemi pas Prokurorisë Speciale”, tha Zijadin Sela, kreu i “Aleancës për Shqiptarët”.

Por “Besa” ka edhe një kusht më shumë…

“Ne, në qeveri me Ali Ahmetin nuk pranojmë të hyjmë me asnjë kusht”, tha Arianit Hoxha, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes “Besa”.

Megjithatë, Ahmeti është çelësi i zgjidhjes së krizës, sepse BDI-ja ka 10 deputetë dhe asnjë nga partitë maqedonase nuk bën dot qeverinë pa të. Por edhe Ali Ahmeti ka kushte, të cilat pritet të bëhen të ditura shpejt. Deri atëherë, në Maqedoni përmendet nën zë se zgjidhja mund të ishin zgjedhje të reja në pranverë, bashkë me zgjedhjet lokale.

Top Channel