Librazhd, OSHEE nxjerr zonat e thella nga “terri”

14/12/2016 00:00

Investimet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike kanë bërë që zonat e thella të mos kenë më probleme të furnizimit me energji edhe gjatë dimrit, kur për shkak të motit të keq problematikat janë të shtuara.

“Janë ndërtuar 8 kabina të reja me vlerë 34 mln lekë të reja, janë vendosur 240 shtylla dhe 90 km kabëll”, ka deklaruar Ardian Çela, administrator i OSHEE-së.

Vetëm dy vite më parë fshatra të thella të Librazhdit, si Kostenja, Orenja, Qafë Dardha, Gurakuqi e Sopoti vuajtën për një kohë të gjatë mungesën e energjisë elektike për shkak të defekteve të shkaktuara nga moti i keq, por edhe rrjeti i amortizuar.

“Është rasi më i mirë për t’u vlerësuar Bashkia Librazhd dhe Bashkia Prrenjas, si dy bashki ku abonentët shlyejnë detyrimet ndaj kompanisë dhe ajo ua kthen pagesën me investime në rrjet”, deklaroi deputeti Taulant Balla.

“Për shkak të shtrirjes gjeografike që Librazhdi ka, ne e kemi shumë të nevojshme që këto investime të vazhdojnë”, tha më tej Kastriot Gura, kryetar i Bashkisë Librazhd.

Nga këto investime kanë përfituar rreth 10 mijë abonëntë të Bashkisë së Librazhdit, kryesisht të fshatrave të thella. Bëhet fjalë për investimet e para në këto zona pas 40 vitesh.

Top Channel