Durrës, drejtoresha e shkollës mban “peng” paratë e uniformave të nxënësve

14/12/2016 00:00

Rreth 70 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka” në Durrës, kanë paguar nga 2 mijë lekë të reja për uniformën, por prej disa muajsh ata nuk kishin marrë as uniformën dhe nuk u kishin kthyer mbrapsht as paratë.

Për këtë problem, ata kanë hedhur akuza mbi ish-drejtoreshën e shkollës, Nereida Balla, që sipas tyre, i ka mbajtur me shpresa se uniforma do vijë nga dita në ditë, derisa është larguar nga posti drejtues i kësaj shkolle, pasi ka lëvizur në një tjetër vend pune. Pas një ankese të dërguar nga prindërit e fëmijëve në redaksinë tonë, ne shkuam pikërisht në këtë shkollë, kontaktuam me autoritetet përkatëse për të mësuar më shumë mbi këtë shqetësim.

Pas ankesës së prindërve, Fiks Fare shkoi në shkollën Jusuf Puka për të mësuar më shumë lidhur me këtë shqetësim. Sipas letrës së dërguar nga prindërit, në bazë të një vendimi të marrë nga ish-drejtoresha e shkollës, Nereida Balla, të gjithë nxënësit duhet të paguajnë nga 20 mijë lekë të vjetra për uniformën. Këto uniforma janë paguar gjatë muajve maj-qershor dhe në Gusht.

Ata shpjegojnë se fillimisht kanë mbërritur 3/4 e uniformave, por rreth 70 nxënës kanë mbetur pa to. Pas kontakteve me drejtoreshën Balla, ajo u ka premtuar çdo javë që uniforma do vijë javën tjetër, deri në fillim të muajit nëntor, kur ajo është larguar nga funksioni për një tjetër detyrë. Ata janë ankuar pranë drejtoreshës së re të shkollës, Esmeralda Xheraj, por ajo nuk u ka dhënë një zgjidhje, veç faktit që shqetësimin e tyre do e ngrejë në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Durrës.

Ne biseduam dhe me drejtoreshën aktuale të shkollës, Ezmeralda Xheraj, e cila tregon për gazetarët e Fiksit se është vënë në dijeni për këtë problem nga prindërit e nxënësve. Pasi ata kanë firmosur një ankesë, ajo e ka dërguar shkresën në DAR, prej të cilëve ka kërkuar që të bëhen verifikimet përkatëse. Ajo thotë se nga një bilanc paraprak rezulton se janë rreth 50 nxënës, por që nuk ka dijeni sesi është realizuar procedura për blerjen e uniformave, pasi në zyrë nuk i është lënë asnjë dosje nga paraardhësja.

Pas bisedës me Drejtoreshën e shkollës shkuam në Drejtorinë Arsimore të Durrësit, ku kontaktuam me drejtoreshën Lindita Mukaj. Ajo na vë në dijeni se menjëherë do të ngrejë një grup pune për verifikimin e rastit. Drejtoresha Mukaj tregon se për shqetësimin e prindërve është vënë në dijeni nga drejtoresha Ezmeralda Xheraj, pranë të cilës janë ankuar prindërit. Menjëherë pas kësaj kërkese, DAR ka ngritur një grup pune për verifikimin e rastit dhe marrjen e masave.

Por, gjatë kohës që grupi ynë intervistonte drejtoreshën e DAR, ish-drejtoresha e shkollës, Nereida Balla, njoftohet se kanë mbërritur gazetarët e Fiksit dhe ndërkohë që ne kontaktojmë me të dhe prisnim të takoheshim për të dhënë sqarime mbi ankesat e prindërve, ajo shkon në shkollë dhe likuidon të gjithë nxënësit. Më pas, ajo vjen në zyrën e DAR.

Gjatë një bisede me të, ajo deklaron se firma u është ofruar vetë në shkollë, duke iu paraqitur një uniformë, kundrejt një çmimi prej 2 mijë lekësh të reja. Ajo thotë se uniforma i ka pëlqyer, ia ka paraqitur këshillit të prindërve dhe pasi ka marrë miratimin e tyre ka vendosur që ta porosisë këtë mall. Por ajo pranon se nuk ka kryer procedurat ligjore për blerjet e vogla, pasi nuk ka marrë oferta nga tre kompani, nuk ka asnjë kontratë me firmën që ka realizuar uniformën, veçse shpjegon se paratë i ka mbajtur ajo derisa të dorëzohej malli.

Ajo pretendon se shtyrja e afateve është bërë nga firma herë pas here dhe që kjo ka pasur dëshirën e mirë që të pajisë nxënësit, prandaj nuk u ka kthyer lekët mbrapsht, të cilat nuk i linte në llogarinë e shkollës, por i mbante vetë.

Top Channel