Brukseli, “grusht” Tsipras; ngrin reduktimi i borxhit grek

14/12/2016 00:00

Si një goditje e rëndë për qeverinë Tsipras konsiderohet reagimi zyrtar i zëdhënësit  të presidentit të Eurogrupit, Michel Reijns, i cili me një postim në Twitter ka pohuar se institucionet europiane si KE, BQE dhe ESM kanë ngrirë përkohësisht masat afatshkurtra për reduktimin e borxhit grek, të cilat ishin aprovuar disa ditë më parë.

Shkak për këtë është bërë vendimi që ka marrë një javë më parë qeveria Tsipras, për t’u dhënë në prag Krishtlindjesh një pension shtesë nga 300 deri në 850 euro 1.600.000 personave që marrin pensione të ulëta nga paratë e tepricës primare të këtij viti, vendim ky për të cilin nuk janë pyetur kreditorët.

Veprimi i Tsipras ka shkaktuar në fillim reagime në Bruksel dhe më pas ministri gjerman i Financave ka deklaruar se marrëveshja për reduktimin e broxhit grek mund të funskionojë nëse të gjitha palët e respektojnë dhe nuk ndërmarrin veprime të njënashme.

I pyetur për këtë reagim të Berlinit, Tsipras ka dhënë përgjigjen në televizionin shtetëror nga Selaniku. “Duhet që të gjithë të respektojnë popullin grek, që këtu e 7 vjet po bën sakrifica të mëdha në emër të Europës. Po mban në shpatullat e tij edhe krizën e refugjatëve”, ka thënë Tsipras.

Sipas burimeve qeveritare, kryeministri grek, që ndodhet në Bruksel, do të përpiqet të gjejë një zgjidhje politike në samitin e liderëve të BE, ndërsa ka mbyllur një takim për këtë çështje edhe me kancelaren Merkel ditën e premte, të cilës, sipas informacioneve të fundit, do t’i kërkojë edhe largimin e FMN nga programi i tretë i ndihmës për Greqinë.

Top Channel