SHBA, bankieri i kthyer në kryediplomat. Ja reagimet për Tillerson

13/12/2016 00:00

Kur “Wall Street Journal” bënte profilin e Rex Tillersonit, marsin e vitit 2006, pak pasi ishte caktuar shef ekzekutiv i “Exxon Mobil”, asokohe shkruante se suksesi i tij në kompani do të matet me mënyrën sesi do të luajë diplomatin.

Tani, Tillerson po hyn vërtet në rolin e diplomatit. Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e caktoi Sekretar Shteti dhe emërimi i njeriut të përfour për lidhje me Rusinë u përshëndet menjëherë nga Kremlini. Kjo, për Moskën ishte një kandidaturë shumë profesionale.

Analisti politik rus, Victor Kremenyuk mendon, megjithatë, se Tillersonit nuk do t’i duhet të marrë vendime të mundimshme për arsyen e thjeshtë se fijet e diplomacisë amerikane do t’i tërheqë tjetërkush.

“Tillerson nuk ka një politikë të tijën, nuk ka pasur kurrë një të tillë. Ai do të bëjë atë që presidenti i vet, pra Donald Trumpi do t’i thotë të bëjë. Ai do të përmbushë çdo kërkesë të presidentit. Nëse Trumpi thotë ‘le të bëhemi miq me rusët’, Tillersoni do të nisë miqësitë. Nëse presidenti, përkundrazi thotë se ‘me rusët nuk do të kemi miqësi’, atëherë shefi i diplomacisë do të bindet. Ai nuk është ende lloji i politikanit me një këndvështrim të përcaktuar”, tha Victor Kremenyuk, zv.drejtor i Institutit të Studimeve Amerikane dhe Kanadeze, në Akademinë ruse të Shkencave.

Sipas David Hamre, president i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Tillerson, i cili është anëtar i kësaj qendre, “ka pasur më shumë kontakte me presidentin Putin se ndoshta çdo amerikan tjetër, me përjashtim të Henry Kissingerit”.

Për kryetarin e Komisionit të Forcave të Armatosura, John McCain, kjo çështje është mjaft shqetësuese, e në të njëjtën linjë janë edhe senatorë të tjerë republikanë, si Lindsey Graham e Marco Rubio. Konfirmimi i tij, megjithatë, mund të paraqesë probleme, pasi Rex Tillerson duhet të marrë “dritën jeshile” të Senatit e procesi pritet të jetë i vështirë.

Top Channel