Serbia, donacione ruse për avionë ushtarakë. Vuçiç: Rinovojmë pajisjet

13/12/2016 00:00

Serbia do të marrë donacione nga Moska për disa avionë ushtarakë në vlerën prej një milion eurosh, ndërsa Serbia do të japë një pjesë për përshtatjen e tyre për nevojat lokale.

Lajmi është bërë i ditur gjatë qëndrimit në Beograd të shefit të diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, ndërsa kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një konferencë pas bllokimit të Serbisë nga Kroacia për çeljen e një kapitulli të kushteve për integrim në Bashkimin Europian, tha se Serbia nuk ka ndërmend të luftojë kundër askujt, por vetëm rinovim të pajisjeve.

Lavrov ka thënë se Bashkimi Europian kërkon nga Serbia të mbyllë Qendrën e Emergjencave në qytetin jugor të Nishit, siç quhet zyrtarisht, të cilin BE-ja e konsideron si një fole spiunazhi dhe rrezik për sigurinë.

“Duan nga Serbia të sillet ashtu siç sillet udhëheqësi i Malit të Zi, i cili ka shkelur të gjitha detyrimet, premtimet dhe ka tradhtuar Rusinë, edhe pse Rusia nuk i ka bërë asgjë të keqe. Nëse BE-ja do të bëj miq në këtë mënyrë, ky quhet bashkim kundër dikujt”, tha Sergey Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë.

Lavrov ka thënë se nuk duhet të jemi kundër, por bashkë. Ai ka thënë se Rusia nuk do të ndalojë sulmet në Siri, derisa të mos krijohen korridoret e sigurisë. Por negociatat konsiderohen të mundshme.

Top Channel