Nisma për të ndihmuar fëmijët e policëve

13/12/2016 00:00

Mbi 200 fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit vuajnë nga sëmundje të rënda. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, për këtë arsye lançoi pasditen e së martës një nismë sensibilizuese për të ndihmuar këta fëmijë.

“Ne menduam që puna më e mirë që mund të bënim në këtë fundviti është t’u gjendemi atyre pranë, familjeve të tyre. Për t’i ndihmuar duke dëshmuar dhe treguar solidaritetin njerëzor të njëri–tjetrit, të punonjësve të Policisë me njëri-tjetrin, të kolegëve, të punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të gjithë atyre që ndjejnë se në këto ditë puna më e mirë që mund të bëjmë është të gjendemi pranë njëri-tjetrit dhe të ndihmojmë në ditë të vështira”, deklaroi Tahiri.

Me anë të një këngë të bërë posaçërisht, për t’u bërë heroi i këtyre fëmijëve duke i ndihmuar që trajtimi për ta të jetë sa më i lehtë, ministri i Brendshëm i ftoi të gjithë të bëjnë donacione për këta fëmijë.

Tahiri nuk harroi të falënderonte Digitalb dhe personalitetet si Valbona Selimllari, Bes Kallaku, Flori Mumajesi e Alban Hoxha që kanë ndihmuar në realizimin e kësaj videoje.

Për të ndihmuar këta fëmijë duhet të dërgoni SMS me tekst “Ti je heroi im” në numrin 50100.

Top Channel