Nishani në Universitetin e Tiranës: Shkrim real të historisë

13/12/2016 00:00

Në një ligjëratë me studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës, presidenti Bujar Nishani u ka kërkuar profesorëve të marrin përsipër përgjegjësitë.

“Për të marrë përsipër një shkrim real të historisë sonë. Dhe për t’i ikur debatit në do rishkruhet apo do korrigjohet historia, unë besoj se historia jonë ka nevojë të fillojë të shkruhet jo vetëm në atë kontekst që ka debate të mëdha, për shkak të periudhave ekstremisht të ideologjizuara, që janë pjesë e historisë sonë. Por historia e kombit shqiptar është shumë e pasur, me uljet dhe ngritjet e saj pa dyshim, dritëhijet e saj pa dyshim, por që ka kontribute në nivel global”, ka deklaruar Nishani.

Për kreun e shtetit, shkrimi i një historie mbi bazën e provave, fakteve, arkivave dhe debateve nuk është një çështje e lehtë dhe kërkon shumë kohë, por sipas tij, duhet të nis puna për të vendosur historinë e shqiptarëve në vendin e duhur dhe të nevojshëm.

Top Channel